Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është
person juridik publik dhe autoriteti mbikëqyrës i pavarur dhe përgjegjës për monitorimin
dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve që garantojnë të drejtën për informim, mbrojtjen
e të dhënave personale dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik. Institucioni
ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me parimet e pavarësisë, transparencës dhe
përgjegjshmërisë publike, me qëllim garantimin dhe forcimin e të drejtave dhe lirive
themelore të qytetarëve për akses në informacionin me karakter publik dhe mbrojtjen
e të dhënave të tyre personale.
Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me shumicën e të gjithë anëtarëve,
me propozim të Këshillit të Ministrave, për një mandat shtatëvjeçar, me të drejtë
rizgjedhjeje. Ai vepron në pavarësi të plotë gjatë ushtrimit të detyrave dhe
kompetencave të tij ligjore, i mbështetur nga Zyra e Komisionerit, e cila pajiset
me burimet njerëzore, teknike dhe financiare të nevojshme për funksionim efektiv.
Komisioneri ka buxhetin e tij, i cili është pjesë e buxhetit të shtetit, por
administrohet në mënyrë të pavarur nga institucioni.
Misioni
Të garantojë respektimin e dy të drejtave themelore të individit – të drejtën për
t’u informuar dhe të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale – në përputhje
me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare në funksion të garantimit
të të drejtave të njeriut.
Vizioni
Të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie transparente, të informuar dhe digjitale,
ku çdo individ gëzon të drejtën për mbrojtje të të dhënave personale, si dhe të
ndërgjegjësojë institucionet publike që të veprojnë me përgjegjshmëri dhe integritet
në zbatim të ligjit nr. 119/2014, ligjit nr. 124/2024 dhe atij nr. 33/2022.
Objektivat
-
Të garantojë zbatimin e plotë të ligjeve për të drejtën e informimit, mbrojtjen
e të dhënave personale dhe ripërdorimin e informacionit publik;
-
Të forcojë kulturën institucionale të transparencës dhe të përgjegjshmërisë
ndaj qytetarëve;
-
Të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe profesional për rëndësinë e së drejtës
për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale;
-
Të ofrojë udhëzime, trajnime dhe mbështetje për autoritetet publike dhe
subjektet private në zbatimin e kërkesave ligjore;
-
Të nxisë bashkëpunimin me institucionet vendase dhe ndërkombëtare për forcimin
e standardeve të transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave.
Kompetencat kryesore të Komisionerit në fushën e të drejtës për informim
Në zbatim të ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, i ndryshuar,
Komisioneri:
-
shqyrton ankesat e individëve që pretendojnë shkelje të së drejtës për t’u njohur
me informacion publik;
-
kryen hetime administrative, kryesisht ose me ankesë, duke pasur akses në çdo
të dhënë apo dokument, përfshirë edhe ato të klasifikuara;
-
vendos masa administrative për shkeljet ligjore dhe kërkon deklasifikimin e
informacionit kur diktohet nga interesa më të rëndësishme publike;
-
nxit transparencën e autoriteteve publike përmes këshillimit, rekomandimeve
dhe monitorimit të programeve të transparencës;
-
kryen sondazhe dhe fushata ndërgjegjësuese mbi të drejtën e informimit.
Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale
Në zbatim të ligjit nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”,
Komisioneri:
-
monitoron dhe mbikëqyr zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave
personale;
-
harton dhe publikon udhëzime, udhëzues dhe rekomandime për zbatimin e ligjit;
-
ofron mendime dhe këshilla për Kuvendin, Këshillin e Ministrave dhe institucionet
e tjera mbi masa legjislative ose administrative që lidhen me mbrojtjen e të dhënave;
-
miraton klauzola standarde kontraktuale, kode sjelljeje dhe mekanizma certifikimi
për përpunimin e të dhënave personale;
-
nxit ndërgjegjësimin publik, trajnimin dhe edukimin për çështje që lidhen me
përpunimin e të dhënave personale, me fokus të veçantë tek të miturit dhe
nëpunësit e mbrojtjes së të dhënave;
-
mbikëqyr transferimet ndërkombëtare të të dhënave.
Në fushën e të dhënave të hapura dhe ripërdorimit të informacionit publik
Në zbatim të ligjit nr. 33/2022 “Për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e
Informacionit të Sektorit Publik”, Komisioneri:
-
mbikëqyr zbatimin e të drejtës për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik;
-
promovon standarde për qasje të hapur dhe akses publik në të dhënat e administratës;
-
kërkon bashkëpunimin e institucioneve publike për sigurimin e informacionit të
nevojshëm në përmbushje të detyrave ligjore.
Në tërësi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave
Personale synon të garantojë një ekuilibër të drejtë ndërmjet transparencës publike
dhe mbrojtjes së të dhënave personale, në shërbim të qytetarit dhe garantimit të një
shoqërie demokratike.