E DREJTA PËR INFORMIM
Roli dhe kompetencat e Komisionerit
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
(Komisioneri) është autoriteti mbikëqyrës i pavarur përgjegjës për garantimin
e së drejtës për informim dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit përkatës
në Republikën e Shqipërisë. Në ushtrimin e kompetencave të tij, Komisioneri
vepron në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe
legjislacionin në fuqi.
BAZA LIGJORE
Kompetencat e Komisionerit në fushën e së drejtës për informim parashikohen në
Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, si dhe në
Ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili rregullon
organizimin dhe funksionimin e institucionit.
Në ushtrimin e kompetencave të tij, Komisioneri ushtron funksione mbikëqyrëse,
hetimore, vendimmarrëse dhe ndërgjegjësuese për garantimin e së drejtës për informim.
Komisioneri:
- shqyrton kërkesat e personave që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e
parashikuara në Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar;
- shqyrton ankesat që lidhen me funksionimin e Programeve të Transparencës në
autoritetet publike;
- kryen hetimet e nevojshme administrative gjatë ushtrimit të kompetencave të tij;
- njihet dhe ka akses në informacionin dhe dokumentet që janë objekt ankimi ose
lidhen me çështjen në shqyrtim;
- ka akses edhe në informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror”, duke respektuar
kërkesat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar;
- vendos sanksione administrative sipas parashikimeve të Ligjit nr. 119/2014
“Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar;
- nxit parimin e transparencës në veprimtarinë e autoriteteve publike, veçanërisht
nëpërmjet sensibilizimit dhe informimit;
- monitoron zbatimin e Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar;
- kryen sondazhe për çështje që lidhen me ushtrimin e së drejtës për informim;
- bën rekomandime autoriteteve publike për konceptimin dhe zbatimin e Programeve
të Transparencës;
- me kërkesë të gjykatës, parashtron mendim me shkrim për çështje që lidhen me
të drejtën për informim.
Gjatë ushtrimit të kompetencave hetimore dhe zhvillimit të procedurës administrative,
Komisioneri zbaton dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative të Republikës
së Shqipërisë.
PROCEDURA E SHQYRTIMIT TË ANKESAVE
Procedura administrative për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave rregullohet nga
neni 24 i Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar.
Afatet kryesore
- 30 ditë pune për paraqitjen e ankimit administrativ;
- 15 ditë pune për marrjen e vendimit nga Komisioneri.
1. E drejta për t’u ankuar
Çdo person që vlerëson se i janë cenuar të drejtat e parashikuara nga ligji
“Për të drejtën e informimit” ka të drejtë të paraqesë ankim administrativ pranë
Komisionerit, në përputhje me këtë ligj dhe me Kodin e Procedurave Administrative.
2. Afati për paraqitjen e ankimit
Ankimi administrativ paraqitet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:
- ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit; ose
- ka përfunduar afati ligjor për dhënien e informacionit, pa marrë përgjigje.
3. Verifikimi dhe hetimi administrativ
Me marrjen e ankesës, Komisioneri ia kalon atë strukturës përgjegjëse për të drejtën
e informimit, e cila verifikon faktet dhe bazën ligjore të saj.
Për këtë qëllim, Komisioneri mund t’i kërkojë ankuesit dhe autoritetit publik, ndaj
të cilit është paraqitur ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim. Ai mund të marrë
informacion edhe nga çdo person ose burim tjetër që e çmon të nevojshëm.
Kur e çmon të nevojshme, Komisioneri zhvillon seancë dëgjimore publike me
pjesëmarrjen e palëve.
4. Afati i vendimmarrjes
Komisioneri merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është
dorëzuar ankimi.
5. Vendimet e Komisionerit
Pas shqyrtimit të çështjes, Komisioneri mund të vendosë:
a) Mospranimin e ankesës
Kur ka kaluar afati ligjor, ankimi nuk është paraqitur në formë shkresore ose
nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit.
b) Pranimin e ankesës
Urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë
të plotë ose të pjesshme.
c) Rrëzimin e ankesës
Rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht.
ç) Përcaktimin e afatit të zbatimit
Përcaktimin e afatit brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.
d) Vendosjen e masave administrative
Në rastet e parashikuara nga Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”,
i ndryshuar, Komisioneri mund të vendosë edhe masa administrative dhe sanksione.
6. E drejta për t’iu drejtuar gjykatës
Nëse Komisioneri nuk merr vendim brenda afatit ligjor prej 15 ditësh pune, ankuesi
ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës administrative.
7. Kompetencat e Avokatit të Popullit
Procedura administrative pranë Komisionerit nuk cenon kompetencat e Avokatit të
Popullit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, sipas legjislacionit
në fuqi.