Të dhënat tuaja

Të dhënat personale janë të gjitha informacionet që lidhen me ju si individë. Këto të dhëna mbrohen nga ligji nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar dhe institucioni i krijuar prej tij për këtë qëllim “Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Megjithatë, të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm për informacionet që japim për veten dhe të përpiqemi t’i mbrojmë ato në çdo formë. Ne japim të dhënat tona në çdo kohë, kur regjistrohemi në një kompani sigurimesh, kur marrim një kartë klienti në një supermarket, kur bëhemi klientë të kompanive të telefonisë së lëvizshme, kur aplikojmë për punë, për shkollën, apo kur i drejtohemi qendrave shëndetësore, si dhe në shumë raste të tjera.

Më poshtë do te gjeni përkufizimet për të dhënave personale sipas nenit 3 të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

9

“Subjekt i të dhënave personale”

është çdo person fizik, të cilit i përpunohen të dhënat personale.

9

“Të dhëna sensitive”

është çdo informacion për personin fizik, që ka të bëjë me origjinën e tij, racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin, fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale.

9

“E dhënë gjyqësore”

është çdo e dhënë lidhur me vendimet në fushën e gjykimeve penale, civile, administrative apo me dokumentimet në regjistrat penalë, civilë, ato të dënimeve administrative, etj.

9

“Pëlqim i subjekteve të të dhënave”

është çdo deklaratë me shkrim, e dhënë shprehimisht me vullnet të plotë e të lirë dhe duke qenë në dijeni të plotë për arsyen pse të dhënat do të përpunohen, ç’ka nënkupton që subjekti i të dhënave pranon që të përpunohen të dhënat e tij.

9

“Të dhëna personale”

është çdo informacion në lidhje me një person fizik, të identifikuar ose i identifikueshëm, direkt ose indirekt, në veçanti duke iu referuar një numri identifikimi ose një a më shumë faktorëve të veçantë për identitetin e tij fizik, fiziologjik, mendor, ekonomik, kulturor apo social.

9

“E dhënë anonime”

është çdo e dhënë, që në origjinë ose gjatë përpunimit, nuk mund t’i shoqërohet një individi, të identifikuar ose të identifikueshëm.

9

“Përpunim i të dhënave personale”

është çdo veprim ose grup veprimesh, të cilat janë kryer mbi të dhënat personale, me mjete automatike ose jo, të tilla si mbledhja, regjistrimi, organizimi, ruajtja, përshtatja ose ndryshimi, rikthimi, konsultimi, shfrytëzimi, transmetimi, shpërndarja ose ndryshe duke vënë në dispozicion, shtrirja ose kombinimi, fotografimi, pasqyrimi, hedhja, plotësimi, seleksionimi, bllokimi, asgjësimi ose shkatërrimi, edhe në qoftë se nuk janë të regjistruara në një bankë të dhënash.