Detyrimi për njoftim
Janë dy mënyra për të realizuar “Njoftimin” pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale:
Mënyra "online"
plotësohet elektronikisht prej subjektit “kontrollues” në faqen në internet të Zyrës së Komisionerit, duke plotësuar çdo rubrikë të tij sipas pyetjeve të parashtruara (aplikoni online);
Mënyra "manuale"
nëpërmjet printimit të “Formularit të Njoftimit”, plotësimit të rubrikave përkatëse dhe dërgimin e tij pranë Zyrës së Komisionerit nëpërmjet postës, ose dorazi.
Vendim nr. 4
“Për përcaktimin e rasteve për përjashtimet nga detyrimi për njoftimin e të dhënave personale që përpunohen”
Vendim nr. 8
“Për përcaktimin e shteteve me nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale”
Udhëzim nr.41
“Për lejimin e disa kategorive të transferimeve ndërkombëtare të të dhënave personale në një shtet që nuk ka nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale”
Subjektet “Kontrollues Potencialë” që kanë detyrimin të njoftojnë pranë Zyrës së Komisionerit
Njoftimi nga subjektet kontrollues është një detyrim ligjor i përcaktuar në nenin 21 të ligjit nr. 9887, datë 10/03/2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Mospërmbushja e detyrimit për të njoftuar pranë Zyrës së Komisionerit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë.
Për çdo ndryshim në qëllimin apo qëllimet e përpunimit, si dhe në përmbajtjen e njoftimit të mëparshëm, çdo subjekt kontrollues i regjistruar duhet të njoftojë sërish Zyrën e Komisionerit. Pra, nëse kontrolluesi i regjistruar më parë ka vendosur të realizojë një përpunim të ri të të dhënave personale, ose ka ndryshuar gjendjen e mëparshme të përpunimit të njoftuar, atëherë, ai duhet të njoftojë sërish Zyrën e Komisionerit.
Njoftimi për një përpunim të ri si dhe ndryshimet në njoftimin e mëparshëm realizohet duke plotësuar online “Deklaratën e Ndryshimit”, duke plotësuar “Formularin e Njoftimit” manualisht vetëm në rubrikat ku ka ndryshim, ose duke ju drejtuar Zyrës së Komisionerit me anën e një shkrese ku shpjegohen ndryshimet ose përpunimi i ri.
Njoftimi, është një proces me anën e të cilit kontrolluesit e të dhënave personale njoftojnë Zyrën e Komisionerit në lidhje me të dhënat që ata përpunojnë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Ky informacion i dhënë nga kontrolluesit, i parashtruar gjatë plotësimit të rubrikave të “Formularit të Njoftimit”, do të pasqyrohen nga Zyra e Komisionerit në Regjistrin Elektronik të Kontrolluesve i hapur për publikun në faqen zyrtare www.idp.al. Për të realizuar njoftimin pranë nesh, ju mund të asistoheni duke ju referuar Udhëzuesit për plotësimin e “Formularit të Njoftimit”.
Qëllimi primar i njoftimit dhe pasqyrimi i informacionit në këtë regjistër është transparenca ndaj publikut. Bërja me dije, ose mundësia që i jepet publikut për t’u informuar se kush përpunon të dhëna personale, si dhe detaje të tjera të procesit, si p.sh. arsyeja e procesit të përpunimit, është një parim bazë i mbrojtjes së të dhënave personale. Pra, njoftimi i shërben interesave të publikut, duke e ndihmuar të kuptojë se si përpunohen të dhënat personale nga subjektet kontrolluese. Gjithashtu, informacioni në faqet e këtij regjistri do të kontribuojë në ezaurimin e të drejtave të çdo individi pranë kontrolluesve publikë ose privatë, si dhe për paraqitjen e çdo ankese pranë Zyrës së Komisionerit.