Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në cilësinë e anëtares së Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), mori pjesë në mbledhjen e 7-të të forumit drejtues të kësaj organizate.
Pjesë e agjendës së takimit ishte informimi mbi pjesëmarrjen Zyrës së Kommisionerit, si përfaqësuese e ICIC, në aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Evropës në kuadër të Konferencës për të Drejtat e Njeriut të Varshavës. Në këtë aktivitet u prezantua roli dhe objektivat e organizatës për promovimin e të drejtës për informim dhe transparencën e autoriteteve publike kudo në botë. Komiteti Ekzekutiv u njoh edhe me iniciativat e zhvilluara për 28 Shtatorin – Ditën Ndërkombëtare të Aksesit Universal në Informacion (IDUAI), si dhe u paraqitën rezultatet e pyetësorit të vlerësimit të Konferencës së mëparshme të ICIC.
Më herët, u mbajt edhe mbledhja e parë e Komitetit të Planifikimit të edicionit të 15-të të Konferencës, e cila do të organizohet nga Zyra e Komisionerit në vitin 2024, ku u paraqit një informacion përmbledhës për ecurinë dhe masat për zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Ky grup ndërkombëtar pune, i përbërë nga ekspertë të fushës së të drejtës për informimit, ka si objektiv përgatitjen e programit të Konferencës, si edhe do të mbështesë autoritetin shqiptar në aspekte të ndryshme organizative të saj.