Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në “Festivalin e Inovacionit – InnFest 2023”, në mjediset e Parkut Olimpik të Tiranës. Ky aktivitet përbën një platformë komunikimi që ka në qendër të vëmëndjes nxitjen e bashkëpunimin në funksion të ofrimit të shërbimeve inovatore dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të vendit

Zyra e Komisionerit u përfaqësua në Inn Fest 2023 me një kontribut të rëndësishëm, duke marrë pjesë në dy takime në kuadër të këtij aktiviteti. I pari ishte ai me tëmë “Sigurimi i suksesit në tregtinë elektronike: Lundrimi në sfidat e sigurisë kibernetike dhe privatësisë së të dhënave për rritje të qëndrueshme (“Securing the success in e-commerce: Navigating cyber-security and data privacy challenges for sustainable growth”). Në të, Zyra e Komisionerit prezantoi legjislacionin në fuqi të mbrojtjes së të dhënave personale, punën për hartimin/miratimin e kuadrit të ri rregullator të fushës që përafron tërësisht Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) të BE, si dhe rolin e veprimtarinë e institucionit në këtë fushë. Ky aktivitet ishte i konceptuar në formën e një workshopi me karakter teknik për shkëmbimin e ideve, njohurive dhe praktikave më të mira mes institucioneve publike, biznesit dhe shoqërisë civile.

Pjesëmarrja tjetër e Zyrës së Komisionerit ishte ajo në Sesionin e 4-t të InnFest 2023: Lidhja me njëri-tjetrin përmes diasporës. Privatësia e të dhënave – një faktor i rëndësishëm për tregtinë elektronike (“Conference 4: Connecting each other through diaspora. Data privacy – an important factor for e-commerce”). Në këtë takim iu kushtua vëmëndje çështjeve që kanë të bëjnë me procesin e përpunimit të të dhënave personale gjatë ofrimit të shërbimeve nga ky sektor, si: informimi i qytetarëve, marrja/tërheqja e pëlqimit të tyre, zbatimi i masave të domosdoshme tekniko-organizative, përdorimi i pajisjeve të përshtatshme për garantimin e sigurisë së të dhënave, kujdesi në ndarjen e informacionit personal me palë të treta, etj. Tregtia elektronike po njeh zgjerim dhe përparim teknologjik edhe në vendin tonë, ku aspekti i ofrimit të shërbimeve në kushte të larta sigurie duhet të jetë përparësi për të gjithë aktorët që operojnë në këtë sektor. Po ashtu, Zyra e Komisionerit u përfaqësua përgjatë ditëve të zhvillimit të “InnFest 2023” me një stendë të posaçme. Kjo pjesëmarrje kishte për qëllim zgjerimin e rolit ndërgjegjësues, nxitjen e kulturës për ushtrimin e të drejtave nga qytetarët, promovimin e veprimtarisë institucionale, apo dhe ndërveprimin e drejtpërdrejtë me biznese që operojnë në sektorin e tregtisë elektronike apo teknologjisë së informacionit.