3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

15 vjet Zyra e Komisionerit, Konferenca V Kombëtare “E Drejta për Informim – Hapje, Transparencë, Digjitalizim”

“15-vjet Zyra e Komisionerit, Konferenca V Kombëtare “E drejta për informim – Hapje, Transparencë, Digjitalizim”, ishte aktiviteti i zhvilluar nga institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Zyrën e Këshillit të Evropës (KiE) në Shqipëri.

Ky takim i rëndësishëm, me pjesëmarrjen e mbi 150 përfaqësuesve të autoriteteve publike qendrore e të varësisë, të pavarura, të sistemit të drejtësisë apo të vetëqeverisjes vendore, kishte në fokus vlerësimin e nivelit të zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Të ftuar nderi në këtë aktivitet, ishin znj. Ermonela Felaj Valikaj, Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Milva Ekonomi, Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, z. Olsi Dekovi, Zëvendëskreu i Zyrës së Këshillit të Evropës dhe z. Sam Goldbart, Sekretari Parë i Ambasadës Britanike.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi në fjalën e tij se institucioni ka arritur të jetë funksional, i pavarur në vendimmarrje, laborator që performon dhe konkurron me kontributin e tij denjësisht në fushat e përgjegjësisë, e ndoshta dhe më gjerë. “Kjo veprimtari intensive përfshin edhe procesin e integrimit evropian dhe atë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, në dy prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të drejtën për informim dhe të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, të hapur dhe komunikues me publikun dhe që meriton të vendoset në pozicionin e duhur kushtetues dhe institucional. E drejta për informim, në të tre komponentet e saj, ku në qendër është qytetari së bashku me shoqërinë civile, median apo çdo aktor tjetër, me autoritetet publike si dhe Zyra e Komisionerit, duhet të funksionojnë bazuar në një marrëdhënie luajaliteti institucional, sepse kjo garanton zbatimin e kësaj të drejte për të parët, ashtu si dhe reflekton transparencën dhe mirëqeverisjen për institucionet publike. Duke besuar te ky luajalitet, Zyra e Komisionerit e ka ndërtuar strategjinë e punës së saj te edukimi dhe ndërgjegjësimi. Ne besojmë fort se, rregulli është transparenca, kufizimi i informacionit është përjashtim nga ky rregull.”

Për aktivitetin e saj 15-vjeçar, Zyra e Komisionerit përgatiti një video.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Felaj, vlerësoi se “edhe pse institucion ende i ri, me një histori të shkurtër 15-vjeçare, Komisioneri ka krijuar tashmë një bilanc të pasur dhe po kontribuon për të kultivuar një kulturë të re për transparencën e autoriteteve publike. Me punë, kontribut, performancë profesionale e dinjitet, institucioni ka zënë vendin e tij të rëndësishëm në kontekstin e insitucioneve të pavarura, si gardianë të interesit publik dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve”.

Në fjalën e saj, znj. Ekonomi theksoi se “insitucioni juaj ka krijuar tashmë traditën e mirë të raporteve vjetore që pasqyrojnë punën e administratës publike në përgjithësi, si dëshmi jo vetëm e arritjeve, por edhe të autokorrektimit. Jeni një institucion me reputacion të mirënjohur, dëshmi e të cilës është edhe vendimi për mbajtjen e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) në vitin 2024 në Tiranë.”

Për z. Dekovi “Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në miratimin e standardeve të përparuara ligjore në fushën e të drejtës për informim. Ratifikimi i Konventës së Tromsos është një hap thelbësor për të rritur legjitimitetin e autoriteteve publike, duke nxitur integritetin, efikasitetin, efektivitetin dhe llogaridhënien e tyre, duke promovuar transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimet që ndikojnë në të ardhmen tonë të përbashkët.”

Zyra e Komisionerit prezantoi në këtë aktivitet, me znj. Elona Hoxhaj – Drejtor i Përgjithshëm i të Drejtës për Informim, një panoramë të përmbushjes së detyrimeve të legjislacionit në këtë fushë në vitin e tij të 9-të të zbatimit, situatën e transparencës proaktive apo aksesin nga qytetarët dhe grupet e interesit në informacionin/dokumentacionin publik që prodhojnë ose disponojnë institucionet. E drejta për informim, si një nga të drejtat themelore të njeriut, vepron si parakusht për një qeverisje të hapur, që garanton transparencë dhe llogaridhënie. Transparenca është element kyç në një shoqëri demokratike dhe shërben për t’i dhënë qytetarëve, shoqërisë civile dhe medias mjetet për të vlerësuar se si administrohet pushteti dhe burimet e shtetit.

Pikë e rëndësishme në agjendën e Konferencës ishte prezantimi i portalit qeveritar për të dhënat e hapura opendata.gov.al, nga znj. Romina Kostani, nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Kjo platformë përbën një nga detyrimet që burojnë nga zbatimi i ligjit nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, që ka hyrë fuqi prej muajit maj 2023. Me shumë interes nga të pranishmit u ndoq fjala e ekspertit të KiE, z. Cesare Pitea, i cili diskutoi mbi risitë e Konventës 205 “Për aksesin në dokumente zyrtare” (njohur ndryshe si Konventa e Tromsos), dokument që ka vendosur standarde bashkëkohore në këtë fushë jo vetëm për hapësirën evropiane. Në këtë Konferencë iu kushtua vëmëndje edhe bashkëpunimit mes Zyrës së Komisionerit dhe Ambasadës Britanike në realizimin me sukses të projektit “Përmirësimi i transparencës dhe përgjegjësisë së qeverive të Ballkanit Perëndimor përmes zhvillimit të komunikimeve efektive strategjike”, që u prezantua nga znj. Vasilika Laçi.

 

 

Fjala e plotë e z. Besnik Dervishi 

Fjala e plotë e znj. Milva Ekonomi

Fjala e plotë e z. Olsi Dekovi (anglisht)

Prezantimi për zbatimin e ligjit nr. 119/2014

Prezantimi për ligjin nr. 33/2022

Prezantimi i portalit opendata.gov.al

Prezantimi i Konventës së KiE “Për aksesin në dokumente zyrtare” (anglisht)

Prezantimi i projektit me Ambasadën Britanike