Një shoqëri demokratike, me ekonomi të zhvilluar, kërkon një kuadër ligjor bashkëkohor dhe të konsoliduar, duke patur në themelin e saj respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizuan takimet në kuadër të procesit të konsultimit publik të projektligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Të ftuar në këto aktivitete ishin përfaqësues nga kontrollues/përpunues që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre si në sferën publike ashtu edhe në atë private, nga të gjitha fushat dhe sektorët e jetës ekonomiko-shoqërore. Legjislacioni i ardhshëm kombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale është përmbushje e një prej detyrimeve që buron nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, duke përafruar plotësisht Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën për përpunimin e të dhënave personale nga organet ligjzbatuese (Direktiva e Policisë).

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë tha se “do të vendosim standarde të reja në legjislacionin tonë kombëtar për mbrojtjen dhe garantimin maksimal të të dhënave. Nga njëra anë do të zgjerohet dhe pasurohet rrethi i të drejtave të subjekteve të të dhënave, dhe nga ana tjetër do të shtohen detyrime të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit e të dhënave. Për të arritur në këtë dokument që kemi sot, është bashkëpunuar mes një grupi ekspertësh të huaj dhe Zyrës së Komisonerit në një projekt binjakëzimi financuar nga BE. Këtu gjej rastin të falenderoj Zyrën e Komisionerit për punën e kryer dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm përgjatë procesit të hartimit të projektligjit”.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi, vlerësoi se procesi i konsultimit publik të projektaktit duhet të shërbej jo vetëm për ta përmirësuar atë, por edhe për të konsoliduar kulturën e përgjegjshmërisë, etikës e transparencës në raport me të drejtat e individit. “GDPR ka sanksionuar një qasje të re mbikëqyrëse, që është përshtatur edhe në këtë projektligj dhe ka për qëllim të forcoj pavarësinë institucionale, të rrisë kapacitetet administrative dhe sigurisht, burimet e domosdoshme teknike e financiare për të adresuar problematikat në raport me mos respektimin e të drejtave të qytetarëve. Funksionimi i duhur i një autoriteti të besueshëm nënkupton njohuri të thelluara dhe përditësim periodik të tyre nga stafi, njohje dhe zbatim korrekt të procedurave, resurse të nevojshme teknike dhe mbi të gjitha, vullnet për të qënë të paanshëm nga ndikime apo interesa të çdo lloji. Garantimi i këtyre të drejtave, nëpërmjet përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale kërkon marrjen e masave të nevojshme rregullatore, tekniko-organizative, të sigurisë, çertifikimit, vlerësimit të riskut, trajnimit periodik të stafeve, etj nga çdo kontrollues/përpunues publik e privat. Legjislacioni evropian na ofron modelin më të mirë, të cilin duhet ta kuptojmë dhe përqafojmë me vetëdije dhe jo mekanikisht. Duke e kuptuar dhe e zbatuar atë në themel dhe jo duke ja “përshtatur” modeleve apo rutinave, pra një legjislacion “të fortë” me një mbikëqyrës “të fortë”, për të realizuar atë që është edhe qëllimi i tij, mbrojtja e të dhënave personale të çdo individi, që nuk është gjë tjetër veçse mbrojtja e identitetit njerëzor” – theksoi ai.

Dokumenti në fjalë është në përputhje të plotë me rekomandimet e viteteve të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, si dhe është i parashikuar si një nga nismat prioritare ligjore në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022-2024. Të pranishmit në këto diskutime shprehën opinione dhe sollën sugjerime përsa i përket aspekteve konkrete të përmirësimit të projektligjit nga kënvështrimi i kontrolluesve publik; shoqatave të profesionistëve, organizatave të shoqërisë civile; grupeve të interesit të biznesit, etj. Legjislacioni i modernizuar u garanton individëve kontroll më të madh mbi procesin e përpunimit të të dhënave të tyre. Ai sjell risi që ecin paralelisht me zhvillimin e teknologjisë, si: mënyra të reja të dhënies së pëlqimit, e drejta për t’u harruar, konceptet inovative si transferueshmëria e të dhënave, privatësia në projektim dhe në mënyrë të paracaktuar (privacy by default and by design), apo sanksione më të forta për shkeljet e ligjit. Përafrimi i kuadrit rregullator kombëtar me GDPR dhe Direktivën e Policisë, do të forcojë dhe funksionet e Zyrës së Komisionerit për t’iu përgjigjur më mirë sfidave e problematikave të cenimit të privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.