3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Bashkëpunimi rajonal në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, takim i autoriteteve në Prishtinë

Forcimi i bashkëpunimit mes autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave personale të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ishte qëllimi i organizimit të takimit të mbajtur në Prishtinë.

Mikpritëse e aktivitetit të parë të këtij formati ishte Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës, përfaqësuar nga Komisionerja, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku. Ndërsa, nga autoritetet e tjera morën pjesë znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale; z. Muhamed Gjokaj, Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit të Malit të Zi dhe znj. Leonora Kadriji, Sekretare e Përgjithshme e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Maqedonisë së Veriut.

Diskutimet e të pranishmëve u përqendruan në shkëmbimin e përvojave më të mira në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përshkrimin e trajtimit të rasteve konkrete në sektorët e sigurisë, shëndetësisë, arsimit apo dhe telekomunikacionit. Në këtë takim, vëmendje iu kushtua procesit të përafrimit të legjislacionit kombëtar me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), për zbatimin e standardeve më bashkëkohore evropiane për qytetarët në secilin shtet të rajonit. Njëkohësisht, delegacionet vlerësuan të gjitha mundësitë për thellimin e bashkëveprimit ndërinstitucional, shkëmbimet e eksperiencave dhe stafeve, si dhe adresimin e problematikave dhe sfidave të përbashkëta për respektimin e kësaj të drejte e lirie themelore.

Krerët e delegacioneve u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca. Në të u theksua rëndësia e fushës së mbrojtjes së të dhënave personale duke balancuar respektimin e kësaj të drejte me zhvillimin e qendrueshëm ekonomiko-shoqëror, si dhe u vlerësuan përpjekjet për rritjen e nivelit të sigurisë përballë zhvillimeve teknologjike dhe globalizimit digjital të shkëmbimit të informacionit.