“Aksesi në informacion, pjesëmarrja dhe përfshirja në epokën digjitale”, Konferenca e 13-të e ICIC

Në datat 22-24 qershor, u zhvillua në Meksikë edicioni i 13-të i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners-ICIC), nën organizimin e Autoritetit Federal për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të këtij shteti (INAI).

Ky takim i përvitshëm është forumi kryesor në rang botëror për trajtimin e problematikave lidhur me nxitjen e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies së autoriteteve publike. Tematika e aktivitetit ishte “Aksesi në informacion, pjesëmarrja dhe përfshirja në epokën digjitale”, ku punimet e tij u ndoqën në format hibrid (fizikisht/online) nga përfaqësues të autoriteteve anëtare, organizmave partnere, bota akademike, shoqëria civile, media, etj.

Sesioni i Mbyllur i ICIC u mbajt më datë 24 qershor, ku u diskutua mbi veprimtarinë përgjatë 12 muajve të kaluara dhe u miratua Raportin Vjetor; si dhe u realizuan raportimet respektive të grupeve të punës apo rajonale mbi zhvillimet në këtë fushë. Zyra e Komisonerit është anëtare në dy nga Grupet e Punës, atë për promovimin e transparencës proaktive dhe mbi trajnimet. Dy autoritete të reja nga kontinenti afrikan iu bashkuan ICIC, Komisioni per Aksesin në Informacion i Bregut të Fildishtë dhe Institucioni i Avokatit të Popullit të Etiopisë, duke e çuar në 73 anëtarësinë e institucioneve kombëtare/rajonale në organizatë.

Sesioni i Hapur i mbajti punimet në datat 22-23 qershor, ku u trajtuan një sërë çështjesh dhe u zhvilluan diskutime për sfidat e informacionit publik dhe transparencës në raport me inteligjencën artificiale, cloud apo blockchain. Po ashtu, interes patën edhe trajtimi i temave në lidhje me aksesin në dokumentacionin publik, dezinformimin dhe lirinë e shtypit në epokën digjitale; si dhe transparencën proaktive, si mjet efikas në promovimin e rritjen e hapjes së institucioneve. Njëkohësisht në këtë Konferencë, u mbajtën një sërë aktivitetesh paralele dhe seminare nga UNESCO, grupet ndërkombëtare të punës dhe rrjete të ndryshme rajonale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *