Konsolidim i rolit të institucionit për garantimin e të drejtave të qytetarëve

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, zhvilloi një takim pune me znj. Elisa Spiropali, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Fokusi i këtij takimi ishte forcimi i mbështetjes për garantimin sa më efektiv të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nëpërmjet zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Komisioneri dhe stafi i Zyrës paraqitën një panoramë të kuadrit rregullator për fushat e veprimtarisë, qoftë atë ekzistues ashtu edhe punën për modernizimin e tij. Në lidhje me këtë të fundit, u diskutuan modalitetet për forcimin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për përshpejtimin e procesit të ndryshimeve ligjore, të harmonizuara me standardet më bashkëkohore evropiane. Në këtë takim u diskutuan edhe çështje të forcimit të kapaciteteve administrative të autoritetit, për të adresuar problematika të konstatuara ndër vite dhe për t’iu përgjigjur zhvillimit ekonomik e shoqëror. Njëkohësisht, u vlerësuan edhe iniciativa bashkëpunuese për konsolidimin e kulturës së transparencës dhe përgjegjshmërisë së Autoriteteve Publike, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve dhe garantimit të pjesëmarrjes së qytetarëve në mirëqeverisje.