Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi në Elbasan takimin e dytë në kuadër të iniciativës “Ditët e Transparencës”.

Në këtë aktivitet morën pjesë Komisioneri, z. Besnik Dervishi, Prefekti i Qarkut, znj. Majlinda Perriu, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, drejtues/përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore të këtij qarku, nga institucionet e sistemit të drejtësisë, të strukturave rajonale të institucioneve të varësisë, dhe koordinatorët e tyre për të drejtën e informimit. Transparenca proaktive dhe llogaridhënia e Autoriteteve Publike, përveçse janë ndër faktorët kryesorë të garantimit të të drejtës për akses në informacionin publik, ndikojnë edhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Gjatë takimit u vlerësua ecuria e zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” nga Autoritetet Publike të këtij qarku. Nga monitorimi dhe analiza e situatës, Zyra e Komisionerit ka konstatuar se kërkohet dinamikë në përditësimin e vazhdueshëm të Programit të Transparencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, për elementë të tillë, si shpenzimet buxhetore, procedurat e prokurimit publik apo auditimet; si dhe për procesin e njoftimit dhe konsultimit publik. Njëkohësisht, u kërkua nga koordinatorët rritja e cilësisë në procesin e trajtimit të kërkesave për informacion nga qytetarët apo grupet e interesit, si dhe bashkëpunim konstant me ta për forcimin e kulturës së transparencës.