3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Agjencinë për Informim dhe Privatësi të Kosovës

Me ftesë të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, zhvilloi vizitën e saj në Tiranë Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) të Kosovës, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku. Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i një Marrëveshje Bashkëpunimi me karakter teknik midis dy institucioneve, të cilat gëzojnë një marrëdhënie të veçantë mes tyre, por që në sajë të kësaj Marrëveshje, do të konsolidohet e zhvillohet edhe më shumë.

Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi bazohet mbi tre shtylla kryesore: shkëmbimin periodik të eksperiencave dhe stafit për rritjen e kapaciteteve profesionale e administrative, në kuadër të modernizimit të legjislacionit në të dy fushat e veprimtarisë sipas standardeve më të përparuara evropiane; mbështetjen ndaj AIP për anëtarësimin në organizata të ndryshme, si Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit (ICIC), Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (ECDPA), Komiteti Konsultativ i Konventës 108 të Këshillit të Evropës (T-PD), etj; si dhe në njohjen e ndërsjellë si shtete me nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale (adequacy), për një zhvillim të qendrueshëm të ekonomisë dhe shkëmbimit midis dy vendeve. Gjatë takimit, u diskutua edhe për mundësinë e zbatimit të projekteve të përbashkëta. Ato kanë si qëllim forcimin e besimit e ndërgjegjësimit për ushtrimin e të drejtave nga qytetarët, paralelisht, me rritjen e transparencës e llogaridhënies së Autoriteteve Publike dhe përgjegjshmërisë e etikës nga kontrolluesit/përpunuesit publik e privat.

Komisionerët vlerësuan dhe ndanë të njëjtin qendrim se kjo Marrëveshje Bashkëpunimi është një hap shumë i rëndësishëm dhe nisja e një etape të re dinamike në marrëdhëniet dy-palëshe.

Komisioneri Dervishi cilësoi se “jemi sot këtu me një produkt konkret dhe uroj që ky bashkëpunim të jetë tejet i suksesshëm në të ardhmen. Secili prej institucioneve ka përvojën e vet të akumuluar gjatë viteve të veprimtarisë, por mendoj se kemi çfarë të shkëmbejmë me njëri-tjetrin”.

Komisionerja Sogojeva-Dërmaku tha se “synimi i dy vendeve tona është integrimi në BE dhe çdo eksperiencë është e mirëseardhur, sidomos, në këtë fazë kur legjislacioni është në harmoni me politikat evropiane”.

Znj. Sogojeva-Dërmaku u prit në takime të veçanta edhe nga Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Felaj dhe Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca.

Marrëveshja e Bashkëpunimit