Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi takime informuese e konsultuese me organizatat e shoqërisë civile “Qëndresa qytetare” dhe “Mjaft”. Në fokus të tyre ishte vlerësimi i ecurisë së zbatimit të legjislacionit të të drejtës për informim dhe bashkëpunimi në kuadër të projekteve që forcojnë dhe nxisin transparencën dhe llogaridhënien e Autoriteteve Publike.

Me organizatën “Qëndresa qytetare” u fol për veprimtarinë e institucioneve të sektorit shëndetësor dhe për ato të arsimit të lartë. Veçanërisht, u trajtuan çështje për adresimin e problematikave të konstatuara për kërkesat/ankesat në raport me këto Autoritete Publike. Me interes, u diskutua edhe për mundësinë e nisjes së një konsultimi më të gjerë për krijimin e një Programi Transparence të dedikuar për institucionet arsimore të të gjitha niveleve.

Me organizatën “Mjaft” bashkëbisedimi u fokusua në ecurinë e zbatimit të projektit “Përgjegjshmëria, teknologjia dhe hapja institucionale në Shqipëri” nga disa kategori Autoritetesh Publike. Aktualisht, kjo shoqatë është në fazën e mbledhjes së të dhënave nëpërmjet pyetësorëve të posaçëm, ndërsa u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve ligjore në këtë proces. Në takim u shkëmbyen mendime edhe për mundësinë e angazhimit të Zyrës së Komisionerit në këtë projekt.

Për forcimin e kulturës së transparencës nga Autoritetet Publike dhe për garantimin e të drejtës për informim të qytetarëve, institucioni është gjithnjë i gatshëm e i hapur të bashkëpunojë me organizatat e shoqërisë civile. Ky bashkëveprim është udhëhequr nga zbatimi i praktikave dhe përvojave më të mira në funksion të interesit publik.