3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Konferenca “Parandalimi i korrupsionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”

Me temën “Parandalimi i korrupsionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar” u mbajt Konferenca e bashkëorganizuar nga Ministria e Drejtësisë, Autoriteti Kombëtar Anti Korrupsion i Italisë (Autorita Nacionale Anti Corruzione-ANAC) dhe Ambasada e këtij vendi në Shqipëri. I ftuar në këtë aktivitet ishte dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi.

Në konferencë referuan ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, Presidenti i ANAC, z. Giuseppe Busia, Ambasadori z. Fabrizio Bucci, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Arben Shehu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, znj. Reida Kashta.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Komisioneri vlerësoi se zbatimi i detyrimeve të legjislacionit për të drejtën e informimit nxit transparencën dhe llogaridhënien e Autoriteteve Publike, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë e luftës kundër korrupsionin në administratën publike.

Aksesi në informacion cilësohet ndryshe si oksigjeni i demokracisë dhe si i tillë, institucionet publike duhet ta ofrojnë atë në kohë dhe në mënyrë të plotë për qytetarët, me qëllim që të garantojnë një përdorim sa më efektiv të tij. Ky proces mbështetet në 5 parime të rëndësishme: aksesi maksimal, nënkupton se, institucionet publike kanë detyrimin të japin informacion dhe se çdo shtetas ka të drejtë ta kërkojë atë; autoritetet publike janë të detyruara të publikojnë informacionet e rëndësishme për publikun (buxheti, auditime, prokurime publike, vendimmarrja, etj); institucionet publike duhet të promovojnë qeverisjen e hapurpërjashtimet nga e drejta për informim duhet të jenë të qarta dhe të sakta dhe t’i nënshtrohen testit të “interesit publik” dhe testit të “dëmit të shkaktuar”; si dhe kostot për marrjen e dokumentacionit duhen reduktuar drejt zerimit të tyre. Synimi i ndërthurjes së konceptit të antikorrupsionit me atë të transparencës është që, përmes këtij kombinimi të formohet një figurë e një administrate publike sa më transparente, e plotë, e pastër dhe e lirë nga ndikimet e mundshme të paligjshme të çdo dukurie të natyrës korruptive” – theksoi ndër të tjera z. Dervishi.