Transparenca proaktive e Autoriteteve Publike është ndër faktorët e garantimit të të drejtës për akses në informacionin publik, duke ndikuar në konsolidimin e një administrate dinamike në ofrimin e shërbimeve.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nisi nga Lezha zbatimin e iniciativës “Ditët e Transparencës”. Në këtë takim morën pjesë Komisioneri, z. Besnik Dervishi, Prefekti i Qarkut, z. Gjokë Jaku, Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, drejtues/përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore të këtij qarku, të drejtorive rajonale të institucioneve qendrore të varësisë dhe koordinatorët e tyre për të drejtën e informimit. Kultura e transparencës forcohet jo vetëm nga përmbushja e detyrimeve rregullatore, por edhe nëpërmjet bashkëpunimit efektiv me qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Në fokus të takimit ishte vlerësimi i ecurisë së zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” nga Autoritetet Publike. Nga monitorimi dhe analiza e situatës, Zyra e Komisionerit vlerëson se kërkohet një frymë e re për përditësimin e vazhdueshëm të Programit të Transparencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, veçanërisht, për shpenzimet buxhetore, procedurat e prokurimit publik apo auditimet. Njëkohësisht, u kërkua nga koordinatorët rritja e cilësisë në procesin e trajtimit të kërkesave për informacion për qytetarët apo grupet e interesit.

Zyra e Komisionerit do të vijojë me këtë projekt përgjatë vitit 2022 në të gjitha bashkitë qendër qarku.