Nënshkruhen Protokollet e Konventave 108+ dhe 205 të Këshillit të Evropës

Shqipëria nënshkruan protokollet e Konventave 108+ dhe 205 të Këshillit të Evropës (KiE), dy dokumente të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Akti i parë i nënshkruar është Protokolli (CETS No. 223) për modernizimin e Konventës “Për mbrojtjen e individëve nga procedimi automatik i të dhënave personale”, e njohur ndryshe si Konventa 108+ e KiE. Ky dokument është instrumenti më i rëndësishëm ndërkombëtar me fuqi detyruese për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë në hapësirën evropiane, por dhe më gjerë. Përmirësimi i Konventës i përgjigjet sfidave të zhvillimit ekonomik e shoqëror, por sidomos atij teknologjik, duke zbatuar standardet më të larta në garantimin e të drejtave të individit. Ky modernizim mban të njëjtën frymë me reformën e kësaj fushe në Bashkimin Evropian, miratimin dhe zbatimin e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën e Policisë.

Akti i dytë i nënshkruar është Konventa 205/2009 “Mbi aksesin në dokumente zyrtare”, duke hedhur një hap të rëndësishëm në plotësimin e legjislacionit shqiptar të të drejtës për informim. Dokumenti garanton zbatimin e standardeve më të përparuara evropiane për aksesin e publikut në informacion që prodhojnë ose mbajnë Autoritetet Publike. Nga ana tjetër, transparenca proaktive e tyre është një tipar kyç i qeverisjes së mirë, të hapur dhe të përgjegjshme, duke mundësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në çështje me interes publik. E drejta për informim është, gjithashtu, thelbësore për zhvillimin njerëzor dhe për ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut, si dhe forcon legjitimitetin e Autoriteteve Publike e besimin e tyre në sytë e publikut.

Me ratifikimin e te dy Konventave, kuadri ligjor shqiptar si në fushën e të drejtës për informim, ashtu edhe atë të mbrojtjes së të dhënave personale do të jetë më i plotë dhe bashkëkohor. Aktet u nënshkruan nga Ambasadori i Shqipërisë në Këshillin e Evropës, z. Dastid Koreshi. Zyra e Komisionerit beson në angazhimin e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit për ratifikimin sa më të shpejtë të tyre.