Webinar-i XI i Projektit të Binjakëzimit, ndërgjegjësimi për mbrojtjen e të dhënave personale me nxënës të arsimit 9-vjeçar

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi takimin për njohjen dhe ndërgjegjësimin e nxënësve të arsimit 9-vjeçar me mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Ky ishte webinar-i i 11-të (dissemination event) dhe i fundit në kuadër të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE”.

Të pranishmit u njohën me konceptet dhe njohuritë kryesore për privatësinë dhe të dhënat personale dhe kujdesin për mbrojtjen e tyre. Në bashkëbisedimin interaktiv të zhvilluar me nxënësit, u diskutua për përdorimin e të dhënave në mjedisin digjital e sidomos në rrjetet sociale, si dhe për parandalimin e fenomeneve të tilla negative si bullizmi online, vjedhja e identitetit apo kontaktet e padëshiruara. Aktiviteti u mbajt, njëkohësisht, me 2 grupe nxënësish të klasave të 7/8-ta të shkollave 9-vjeçare “Servete Maçi” dhe “Kosova” në Tiranë. Trajnimi u zhvillua nga ekspertë të partnerit të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit CSI-Piemonte në Itali dhe të Zyrës së Komisionerit.