3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Konsultimi publik për projektligjin e ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përmirësimet e ligjit “Për të drejtën e informimit”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale inicion procesin e konsultimit publik për dy akte: projektligjin e ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014, datë 14.09.2014, “Për të drejtën e informimit””.

Kuadri i ri rregullator në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale është rezultat i zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis e BE”, duke përafruar Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe Direktivën e Policisë. Ligji i ardhshëm parashikon standardet më të larta për qytetarët shqiptarë në garantimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, duke marrë në konsideratë, sidomos, zhvillimet teknologjike të dy dekadave të fundit. Njëkohësisht, kjo reformë ligjore është një hap konkret në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Zyra e Komisionerit, duke patur në fokus ushtrimin në praktikë të të drejtës për informim dhe rritjen e transparencës e llogaridhënies së Autoriteteve Publike, ka hartuar projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014, datë 14.09.2014, “Për të drejtën e informimit””. Këto përmirësime kanë për qëllim të forcojnë rregullat dhe procedurat e legjislacionit aktual, duke reflektuar problematikat e konstatuara gjatë zbatimit të tij dhe gjithashtu, sugjerimet/propozimet e organizatave të shoqërisë civile e qytetarëve. Ky projektligj është përgatitur më herët nga Zyra e Komisionerit, por iniciimi i kësaj nisme në këtë moment, vjen si pasojë e ndryshimeve paralele rregullatore në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014, datë 14.09.2014, “Për të drejtën e informimit”” i konsultoni në lidhjen https://www.idp.al/projekt-akte-te-zyres-se-komisionerit/.

Komentet, propozimet dhe sugjerimet e palëve të interesuara duhet të dërgohen në adresën info@idp.al deri më datën 31 janar 2022.