3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Të dhëna të sigurta, ura bashkëpunimi, kufij të zgjeruar – Ceremonia e Mbylljes së Projektit të Binjakëzimit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Bashkimi Evropian zhvilluan Ceremoninë e Mbylljes së Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis e BE”.

Në këtë aktivitet, që u zhvillua virtualisht, të ftuar nderi ishin z. Pasquale Stanzione, President i Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Italisë, z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE, z. Alexis Hupin, Shef i Seksionit për Integrimin Evropian, Politikën, Shtypin dhe Informimin në Delegacionin e BE, znj. Jutta Gützkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, z. Stefano Salmoso, përfaqësues i Ambasadës së Italisë dhe znj. Renate Seib, Zëvendësambasadore e Austrisë.

Komisioneri Dervishi në fjalën e tij theksoi se “kontributi dhe produkti tejet profesional për të tre komponentët ka qenë dhe do të mbetet një shkollë për institucionin e Komisionerit. Transpozimi i GDPR, që do të pasohet nga miratimi i ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale përfaqëson një hap cilësor, por që duhet të pasohet nga aksione të tjera në punën dhe mbështetjen për Zyrën e Komisionerit, që kjo të mos mbetet si një certifikatë e radhës në kornizë. Ne do të vazhdojmë edhe me pjesën tjetër të legjislacionit të fushës së veprimtarisë së institucionit dhe kam besimin se së shpejti do të përfundojnë edhe procedurat për miratimin e Konventave 108+ dhe 205 të Këshillit të Evropës”.

Ky Projekt Binjakëzimi u realizua në tre komponentë: përafrimi i legjislacionit shqiptar në fushën e mbrojtjes së të dhënave me Rregulloren e Përgjithshme të të Dhënave Personale (GDPR) dhe Direktivën e Policisë; rritja e kapaciteteve institucionale për përmirësimin e mbikëqyrjes, si dhe zgjerimi i njohurive e ndërgjegjësimi i kontrolluesve/përpunuesve për përmbushjen e detyrimeve në raport me kuadrin e ardhshëm rregullator. Në aktivitet pjesëmarrësit vlerësuan frymën e bashkëpunimit miqësor dhe të koordinimit mes partnerëve të Projektit. Projektligji i ri do të nisë së shpejti konsultimin publik nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Më shumë informacion në lidhje me zbatimin e Projektit të Binjakëzimit gjeni në faqen e Zyrës së Komisionerit.