Siguria e të dhënave personale, webinar-i X i Projektit të Binjakëzimit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi webinar-in me temë “Siguria e të dhënave personale dhe cenimi i tyre në sistemet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK)”. Ky ishte aktiviteti i 10-të (dissemination event) në kuadër të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE”.

Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga institucione të pavarura/shtetërore që ofrojnë shërbime në rrugë elektronike nëpërmjet sistemeve TIK, si dhe nga parti politike që përpunojnë të dhëna personale në kuadër të veprimtarisë së tyre. Në këtë webinar u trajtuan çështje, si: efikasiteti i masave tekniko-organizative për të garantuar sigurinë e përpunimit të të dhënave personale; përpunimi i të dhënave personale të qytetarëve gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore apo koncepti i cenimit të tyre dhe detyrimi për njoftim i Zyrës së Komisionerit kur konstatohen raste të kësaj natyre. Për të pranishmit u sollën shembuj praktikë incidentesh me të dhëna personale, ndërsa u orientuan për masat konkrete që duhet të merren për t’i shmangur ato.

Trajnimi u zhvillua nga ekspertë të Autoritetit Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, CSI-Piemonte në Itali dhe të Zyrës së Komisionerit.