3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Përmbyllet faza e trajnimeve të stafit të Zyrës së Komisionerit në kuadër të Projektit të Binjakëzimit

Projekti i Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis e BE”, që po zbatohet nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, mbylli aktivitetet në kuadër të Komponentit të 2-të për rritjen e kapaciteteve të stafit të institucionit.

Njohja e legjislacionin e ri të mbrojtjes së të dhënave personale të përafruar me atë evropian të fushës – GDPR dhe Direktiva e Policisë, dhe aspekte e shembuj praktik nga zbatimi i tij, ishte në fokus të kësaj faze të Projektit të Binjakëzimit. Tematikat e trajtuara në sesionin e fundit 4-ditor kishin të bënin me kompetencat dhe detyrat e autoritetit mbikëqyrës kombëtar, me zhvillimin e kontrolleve/hetimeve administrative kur përfshihen dy e më shumë institucione homologe dhe ndarjen e përgjegjësive në të tilla raste. Njohja me funksionimin dhe kompetencat e Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB) ishte një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar gjatë aktivitetit, si dhe roli që luan ky organizëm në optikën e bashkëpunimit mes autoriteteve kombëtare. Po ashtu, vëmendje iu kushtua edhe çështjeve që kanë të bëjnë me “të drejtën për t’u harruar” (right to be forgotten) dhe procesin e portabilitetit (transportimit) të të dhënave, si dy nga risitë e GDPR, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të “subjektit të të dhënave personale” (qytetari) për ushtrimin në praktikë të të drejtave të tij/saj.

Ky aktivitet u moderua nga ekspertja e institutit austriak “Ludwig Boltzmann”, partner në zbatimin e Projektit të Binjakëzimit, znj. Barbara Chlopcik. Në kuadër të Komponentit të 2-të, u zhvilluan tetë sesione trajnuese për stafin e Zyrës së Komisionerit gjatë periudhës mars-shtator 2021.