Në kuadër të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE” Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi webinar-in e pestë të hapur me përfaqësues nga Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Në këtë aktivitet (dissemination event), me pjesëmarrjen e mbi 60 zyrtarëve nga institucionet e sipërpërmendura, u prezantua legjislacioni i ri i mbrojtjes së të dhënave personale, i cili do të jetë i përafruar me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE (GDPR) dhe me Direktivën nr. 2016/680 “Për mbrojtjen e personave fizikë në lidhje me përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente me qëllim parandalimin, hetimin, zbulimin, ndjekjen penale të veprave penale apo ekzekutimin e dënimeve penale dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave” – e njohur ndryshe si Direktiva e Policisë. Kuadri modern rregullator zgjeron dhe forcon garancitë për respektimin e të drejtave të qytetarëve, e paralelisht, rrit transparencën dhe përgjegjshmërinë e kontrolluesve/përpunuesve të të dhënave personale në këtë proces.

Trajnimi u zhvillua nga ekspertë të Autoritetit Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, CSI-Piemonte në Itali dhe të Zyrës së Komisionerit.