Kontributi i Zyrës së Komisionerit në aktivitete ndërkombëtare, janar-korrik 2021

Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e zënë aktivitetet ndërkombëtare. Pavarësisht përmasave dhe mundësive të saj të kufizuara, vitet e fundit, Zyra e Komisionerit ka luajtur rol mjaft aktiv në sferën ndërkombëtare, i cili kulmoi me organizimin në Tiranë në maj 2018  të Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe në tetor 2019 të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), të cilat janë aktivitetet më të rëndësishme në nivel global në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë. Më herët gjatë vitit 2015, autoriteti ynë organizoi Takimin e 17-të të Rrjetit të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEDPA) dhe Seminarin e 27-të Ndërkombëtar të Trajtimit të Praktikave (Case Handling Workshop).

Zyra e Komisionerit ka vlerësuar që të informojë publikun në mënyrë periodike mbi kontributin e saj në aktivitetet ndërkombëtare në të cilat ajo angazhohet, duke synuar kështu t’u vijë në ndihmë kontrolluesve publikë dhe privatë, por edhe opinionit të gjerë për t’u informuar qoftë për kontributin e Zyrës së Komisionerit, ashtu edhe për zhvillimet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtës për informim.

Teksa në muajin paraardhës ju kemi informuar mbi aktivitetet e zhvilluara gjatë muajit qershor, tashmë do të vendosim në dispozicion të publikut edhe kontributin konkret shtatë mujor gjatë periudhës janar-korrik 2021:

  • Në cilësinë e anëtares së Grupit të Punës për të Ardhmen e Konferencës (FOTC) të Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjet e radhës të zhvilluara në datën 8 janar dhe në datën 13 janar. Ky grup pune vijon intensivisht përpjekjet për përforcimin e statusit dhe pozicionit të këtij forumi të rëndësishëm evropian të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit janë angazhuar veçanërisht në propozimin e ndryshimeve të Rregullave të Procedurës së Konferencës dhe në aspekte teknike të drejtimit strategjik dhe funksionimit të forumit.
  • Në datën 14 janar, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e radhës të Nën-komitetit të Drejtimit Strategjik (SDSC) të Asamblesë Botërore të Privatësisë (GPA). Kujtojmë se ky nën-komitet është i ngarkuar nga Komiteti Ekzekutiv i Asamblesë Botërore të Privatësisë për përmbushjen e objektivave strategjikë të Asamblesë, miratuar nëpërmjet Planit Strategjik 2019-2021 dhe përbëhet nga autoritetet e Australisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
  • Në datën 18 shkurt, përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit zhvilluan një takim online me autoritetin homolog të Mbretërisë së Bashkuar, ku u diskutuan rezultatet e censusit të përgjithshëm të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA), në të cilin Zyra e Komisionerit ka kontribuuar konkretisht duke përgatitur pyetësorin e parë të Asamblesë në lidhje me menaxhimin e të dhënave në sektorin publik.
  • Në datën 23 shkurt, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e radhës së Grupit të Punës për të Ardhmen e Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave, ndërsa më 3 mars në mbledhjen e konstituimit të Grupit Drejtues të Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave. Ky grup drejtues do të jetë organi drejtues i Konferencës Evropiane, ndërsa aktualisht në përbërje ka autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, Mbikëqyrësit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS), Vendet e Ulëta, Gjermaninë, Zvicrën, Irlandën, Shqipërinë, Gjeorgjinë, Kroacinë, si dhe vëzhgues Gjibraltarin. Kjo mbledhje e parë shërbeu për hartimin e rregullave të funksionimit të këtij organi dhe puna do të përqendrohet në përcaktimin e objektivave strategjikë të Konferencës Evropiane si dhe të përforcimit të organizimit të këtij forumi.
  • Në datën 11 mars, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e radhës së Nën-komitetit të Drejtimit Strategjik të Asamblesë Botërore të Privatësisë (GPA), gjatë së cilit raportuan të gjitha grupet e punës së Asamblesë, ndërsa në datën 12 mars, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjes e radhës së Grupit të Punës për të Ardhmen e Konferencës Evropiane (FOTC).
  • Në 17 mars, Zyra e Komisionerit u përfaqësua në Takimin e punës së Komitetit Ekzekutiv të Asamblesë Botërore të Privatësisë (GPA) për hartimin e Planit Strategjik 2021-2023. Vlen të përmendet se paraprakisht u zhvilluan brenda Komitetit Ekzekutiv konsultime të zgjeruara në lidhje me draftin e hartuar nga Sekretariati i Asamblesë.
  • Në datën 24 mars, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e 67-të të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Mbrojtjen e të Dhënave në Teknologji (Grupi i Berlinit), i cili u zhvillua nëpërmjet video-konferencës dhe në të cilin u diskutuan tema në lidhje me rrjetet e sensorëve, pajisjet e kontrolluara nëpërmjet zërit, qytetet inteligjente, etj. Në këtë mbledhje të radhës, Zyra e Komisionerit paraqiti edhe raportin e saj të aktiviteteve në fushën e mbrojtjes së të dhënave në teknologji.
  • Në 25 mars, Zyra e Komisionerit mori pjesë në takimin konsultativ të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri, në lidhje me përgatitjen e Dokumentit të tij Programatik për Shqipërinë 2022-2026. Po në datën 25 mars, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e 63-të të Komitetit Ekzekutiv të Asamblesë Botërore të Privatësisë (GPA).
  • Në cilësinë e anëtares së Nën-komitetit të Organizimit të Asamblesë Botërore të Privatësisë (GPA), Zyra e Komisionerit mori pjesë në datën 12 prill në një takim informues me një autoritet aplikues për organizimit e mbledhjes së përvitshme të GPA-së në vitin 2023. Në këtë takim, përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit ndanë me këtë autoritet eksperiencat nga angazhimi në strukturat e GPA-së, por edhe të organizimit në tetor 2019 të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë.
  • Në cilësinë e anëtares vëzhguese të Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB), Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen plenare të radhës, së zhvilluar në datën 13 prill, ndërsa në datën 15 prill, në mbledhjen e radhës së Grupit të Punës për të Ardhmen e Konferencës Evropiane (FOTC).
  • Në cilësinë e anëtares së Grupit të Punës për të Ardhmen e Asamblesë Botërore të Privatësisë, Zyra e Komisionerit mori pjesë më 21 prill në takimin e zhvilluar për kryerjen e një analize të thelluar të propozimeve/dokumenteve të përgatitura për modelin e ardhshëm të financimit dhe strukturën e ardhshme të Sekretariatit të Asamblesë.
  • Në cilësinë e anëtares vëzhguese të Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB), Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen plenare të radhës, së zhvilluar në datën 19 maj.
  • Në cilësinë e anëtares së Nën-komitetit të Akreditimit të Asamblesë Botërore të Privatësisë (GPA), së bashku me autoritetet e Zelandës së Re dhe Mbretërisë së Bashkuar, Zyra e Komisionerit mori pjesë në takimin informues të zhvilluar me një autoritet kandidat, ku u diskutuan çështje që lidhen me akreditimin në këtë forum.
  • Më 1 qershor, u zhvillua trajnimi i radhës i projektit DECOS (“Zhvillimi i kapaciteteve, bashkëpunimit dhe kulturës së mbikëqyrjes së sektorëve të sigurisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta dhe zbatuar nga Qendra për Studime të Sigurisë Evropiane), me të ftuar si lektor z. Jan Marinus Wiersma, ish-anëtar i Parlamentit Evropian, ekspert i Ballkanit dhe tani bashkëpunëtor i Lartë i Kërkimeve në Institutin Clingendael.
  • Në datat 1-2 qershor, “Shoqëria civile & Forumi Think Tank I – Rruga për Berlin” – aktivitet i organizuar në formën e një konference digjitale, në kuadër të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor 2021 dhe organizuar nga Aspen Institute, Gjermani. Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit morën pjesë në sesione të shumta, ku vlen të theksohet paneli i diskutimit me organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, ku u trajtuan aspekte të mbrojtjes së të dhënave personale dhe u propozuan disa rekomandime që do t’u paraqiten qeverive të këtyre shteteve.
  • Më 4 qershor, webinar i organizuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) dhe Delegacioni i BE në Shqipëri, në të cilin referuan Ambasadori i BE në Shqipëri, z. Luigi Soreca, z. Constantinos Manolopoulos, Zv/drejtori i FRA dhe Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj.
  • Më 4 qershor u zhvillua trajnimi i radhës i projektit Decos, i cili në vijim është zhvilluar në një format diskutimi dhe ndërveprimi praktik.
  • Më 8 qershor, në cilësinë e anëtarit vëzhgues të Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB), Zyra e Komisionerit mori pjesë në punimet e kësaj mbledhjeje plenare të radhës, në cilësinë e anëtares vëzhguese.
  • Më 10 qershor, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e 64-t të Komitetit Ekzekutiv të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA), në cilësinë e anëtarit të forumit drejtues të kësaj organizate globale.
  • Më 22 qershor 2021, Zyra e Komisionerit, në cilësinë e anëtares së Nën-komitet të Akredimit të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA), mori pjesë në takimin e nën-komitetit me një autoritet kandidat për anëtarësim në GPA, ku u diskutuan çështje të ndryshme në lidhje me aplikimin.
  • Zyra e Komisionerit mori pjesë, në datat 23-24 qershor 2021, në Sesionin e 12-të të Mbyllur të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) dhe në webinar-in e 2-të të Sesionit të Hapur të kësaj Konference, të mbajtur më 30 qershor 2021, me temë “Kufizime të mjegullta të aksesit në informacion: zyra shtëpiake dhe menaxhimi i informacionit publik”. Gjatë Sesionit të Mbyllur, u njoftua zyrtarisht zgjedhja e Zyrës së Komisionerit si anëtare e Komitetit Ekzekutiv të ICIC, pas zgjedhjeve të mbajtura për këtë qëllim në muajin maj 2021. Sesioni i Hapur i ICIC zhvillohet këtë vit nëpërmjet webinar-eve të përmuajshëm tematikë deri në dhjetor 2021.
  • Në datat 28-30 qershor u mbajt mbledhja e 41-të Plenare e Komitetit Konsultativ të Konventës 108 të Këshillit të Evropës, ku Zyra e Komisionerit është anëtare me të drejtë vote. Në këtë mbledhje u diskutuan çështje të rëndësishme të vijueshme të fushës së mbrojtjes së të dhënave, por fokusi ishte sidoqoftë mbrojtja e të dhënave gjatë pandemisë së Covid-19 dhe një numër problematikash që trajtohen nga autoritetet mbikëqyrëse në këtë kontekst.
  • Në datat 5, 8, 12 dhe 13 korrik, u zhvilluan sesionet e radhës së trajnimit të projektit DECOS (“Zhvillimi i kapaciteteve, bashkëpunimit dhe kulturës së mbikëqyrjes së sektorëve të sigurisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut“), i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta dhe zbatuar nga Qendra për Studime të Sigurisë Evropiane).
  • Në 7 korrik, Zyra e Komisionerit mori pjesë, në cilësinë e anëtares vëzhguese, në mbledhjen plenare të radhës së Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB).
  • Më 15 korrik u mor pjesë në mbledhjet e radhës së Nën-komitetit të Drejtimit Strategjik (SDSC) të Asamblesë Botërore të Privatësisë (GPA) ku u mbajtën fillimisht raportimet tremujore të grupeve të punës të GPA-së, për t’u pasuar më tej me mbledhjen me dyer të mbyllura të Nën-komitetit (SDSC). Në këtë mbledhje, Zyra e Komisionerit kreu edhe raportimin e saj të fundit për sa i përket komponentit për të cilin ajo ka drejtuar punën në periudhën e funksionimit të nën-komitetit. Po në datën 15 korrik, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e radhës së Grupit të Punës të për të Ardhmen e Konferencës (FOTC) të Asamblesë Botërore të Privatësisë ku u morën vendime të rëndësishme për sa i përket të organizimit dhe funksionimit të Asamblesë në të ardhmen.
  • Më 28 korrik u zhvillua webinar-i i radhës i Sesionit të hapur të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, me temë “Privatësia dhe transparenca në problematikat në lidhje me shëndetin” dhe më 30 korrik u zhvillua webinar-i tjetër i Sesionit të hapur të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, me temë ”Transparenca që nga faza e konceptimit dhe menaxhimi i dokumenteve si mjete të mirëqeverisjes”. Të dyja këto aktivitete të organizuara online u ndoqën nga përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit, e cila është anëtare me të drejta të plota të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit dhe së fundmi edhe anëtare e zgjedhur e Komitetit Ekzekutiv të saj.