Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbajti webinar-in e tretë për njohjen e kuadrit të ri rregullator, si pjesë e aktiviteteve të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE”.

Në këtë trajnim (dissemination event) morën pjesë mbi 30 përfaqësues të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile (OjF) dhe subjekteve mediatike. Pjesëmarrësit u njohën me ecurinë e zbatimit të Projektit të Binjakëzimit sipas fazave të tij dhe me risitë e ligjit të ardhshëm të përafruar me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën e Policisë të BE. Ndërgjegjësimi i shoqërisë për zbatimin e të drejtave të qytetarëve në praktikë është rol i rëndësishëm në veprimtarinë e OjF dhe medias, për të kontribuuar në forcimin e funksionimit të sistemit demokratik dhe shtetit ligjor.

Trajnerë në këtë aktivitet ishin ekspertë nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, CSI-Piemonte në Itali dhe të Zyrës së Komisionerit.