3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Kontributi i Zyrës së Komisionerit në aktivitete ndërkombëtare, qershor 2021

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë dhe kontribuoi, gjatë muajit qershor 2021, në shumë forume/webinar-e virtuale të zhvilluara nga organizata ndërkombëtare të të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale, situatë e kushtëzuar nga pandemia globale Covid-19.

Aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit janë:

-Më 1 qershor 2021, trajnimi i radhës i projektit DECOS (“Zhvillimi i kapaciteteve, bashkëpunimit dhe kulturës së mbikëqyrjes së sektorëve të sigurisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut“, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Vendeve të Ulëta dhe zbatuar nga Qendra për Studime të Sigurisë Evropiane), me të ftuar si lektor z. Jan Marinus Wiersma, ish-anëtar i Parlamentit Evropian, ekspert i Ballkanit dhe tani bashkëpunëtor i Lartë i Kërkimeve në Institutin Clingendael.

-Në datat 1-2 qershor 2021, “Shoqëria civile & Forumi Think Tank I – Rruga për Berlin” – aktivitet i organizuar në formën e një konference digjitale, në kuadër të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor 2021 dhe organizuar nga Aspen Institute, Gjermani. Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit morën pjesë në sesione të shumta, ku vlen të theksohet paneli i diskutimit me organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, ku u trajtuan aspekte të mbrojtjes së të dhënave personale dhe u propozuan disa rekomandime që do t’u paraqiten qeverive të këtyre shteteve.

-Më 4 qershor 2021, webinar i organizuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) dhe Delegacioni i BE në Shqipëri, në të cilin referuan Ambasadori i BE në Shqipëri, z. Luigi Soreca, z. Constantinos Manolopoulos, Zv/drejtori i FRA dhe Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj.

-Më 4 qershor u zhvillua trajnimi i radhës i projektit Decos, i cili në vijim është zhvilluar në një format diskutimi dhe ndërveprimi praktik.

-Më 8 qershor, në cilësinë e anëtarit vëzhgues të Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB), Zyra e Komisionerit mori pjesë në punimet e kësaj mbledhjeje plenare të radhës, në cilësinë e anëtares vëzhguese.

-Më 10 qershor, Zyra e Komisionerit mori pjesë në mbledhjen e 64-t të Komitetit Ekzekutiv të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA), në cilësinë e anëtarit të forumit drejtues të kësaj organizate globale.

-Më 22 qershor 2021, Zyra e Komisionerit, në cilësinë e anëtares së Nën-komitet të Akredimit të Asamblesë Globale të Privatësisë (GPA), mori pjesë në takimin e nën-komitetit me një autoritet kandidat për anëtarësim në GPA, ku u diskutuan çështje të ndryshme në lidhje me aplikimin.

-Zyra e Komisionerit mori pjesë, në datat 23-24 qershor 2021, në Sesionin e 12-të të Mbyllur të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) dhe në webinar-in e 2-të të Sesionit të Hapur të kësaj Konference, të mbajtur më 30 qershor 2021, me temë “Kufizime të mjegullta të aksesit në informacion: zyra shtëpiake dhe menaxhimi i informacionit publik”. Gjatë Sesionit të Mbyllur, u njoftua zyrtarisht zgjedhja e Zyrës së Komisionerit si anëtare e Komitetit Ekzekutiv të ICIC, pas zgjedhjeve të mbajtura për këtë qëllim në muajin maj 2021. Sesioni i Hapur i ICIC do të zhvillohet këtë vit nëpërmjet webinar-eve të përmuajshëm tematikë deri në dhjetor 2021.

-Në datat 28-30 qershor 2021 u mbajt mbledhja e 41-të Plenare e Komitetit Konsultativ të Konventës 108 të Këshillit të Evropës, ku Zyra e Komisionerit është anëtare me të drejtë vote. Në këtë mbledhje u diskutuan çështje të rëndësishme të vijueshme të fushës së mbrojtjes së të dhënave, por fokusi ishte sidoqoftë mbrojtja e të dhënave gjatë pandemisë së Covid-19 dhe një numër problematikash që trajtohen nga autoritetet mbikëqyrëse në këtë kontekst.