3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Staf i trajnuar për mbikëqyrje efektive të kuadrit të ri rregullator për mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale përmbylli aktivitetet e komponentit “Forcimi i kapaciteteve për zbatimin e kuadrit ligjor të mbrojtjes së të dhënave personale” të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis-in e BE”. Në formatin e komunikimit virtual, u zhvillua vizita 4-ditore studimore (study tour) ndërmjet institucioneve zbatuese të Projektit: Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Garante per la Protezione dei Dati Personali), instituti austriak “Për të drejtat e njeriut Ludwig Boltzmann” (BIM), CSI-Piemonte në Itali dhe Zyrës së Komisionerit.

Aktiviteti, në dy ditët e para, kishte në fokus historikun e krijimit, rolin dhe funksionimin e autoritetit homolog italian – veçanërisht, detyrat e departamentit të teknologjisë së informacionit, si dhe kompetencat dhe organizimin e hetimit administrativ. Po ashtu, u diskutua edhe për tematika që kanë të bëjnë me koncepte si “privatësia kundrejt mbrojtjes së të dhënave”, median dhe rrjetet sociale, sektorin e telekomunikacionit dhe marketingun apo bullizmin kibernetik. Në gjysmën e dytë të trajnimit, vëmendja u përqendrua në eksperiencën austriake të zbatimit të legjislacionit të mbrojtjes së të dhënave personale. Lektorë ishin ekspertë të njohur të fushës nga ministritë e Drejtësisë dhe të Brendshme dhe nga gjykatat Administrative Supreme dhe Federale. Nëpërmjet rasteve praktike u trajtua jurisprudenca dhe vendimmarrja e akumuluar nga institucionet përkatëse, duke e vënë theksin te rritja e përgjegjshmërisë së kontrolluesve/përpunuesve.

Në kuadër të Projtektit të Binjakëzimit, Zyra e Komisionerit në muajin korrik 2021 do të zhvillojë edhe 4 webinar-e me përfaqësues të institucioneve publike, subjekteve private apo organizatat e shoqërisë civile e median, për njohjen sa më të zgjeruar të legjislacionit të ri të mbrojtjes së të dhënave personale.