3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Njohje e thelluar e legjislacionit të ri të mbrojtjes së të dhënave personale

Trajnimi i stafit të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është komponenti i dytë gjatë zbatimit të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis e BE”. Qëllimi është njohja e thelluar me procesin e zbatimit të kuadrit rregullator – GDPR dhe Direktiva e Policisë, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira.

Gjatë muajve maj-qershor 2021 janë zhvilluar 4 aktivitete trajnuese, që njihen në terminologjinë e fushës – trajno trajnerët (“train the trainers/coaching”). Tematikat e trajtuara përfshijnë marrëdhëniet dhe përgjegjësitë e “kontrolluesit” dhe “kontrolluesve të përbashkët” apo “kontrollues”-“përpunues” në procesin e përpunimit të të dhënave personale; kompetencat më të gjera të autoritetit mbikëqyrës, hetimin dhe masat administrative. Kuadri rregullator evropian i kushton vëmendje të veçantë aspekteve nga “pëlqimi” te “interesat legjitime” të individit; transferimit ndërkombëtar të të dhënave apo detyrave të personit të kontaktit për mbrojtjen e të dhënave personale (data protection officer-DPO). Gjatë trajnimeve u diskutua edhe për certifikimin dhe organet certifikuese që kryejnë/rinovojnë këtë proces; auditimin e organizatave për përmbushjen e detyrimeve të tyre në lidhje me të dhënat personale; kodet e sjelljes, si dhe për marrjen, në tërësi, të masave tekniko-organizative për garantimin e një procesi të sigurt. Po ashtu, u fol edhe për çështje që kanë lidhje me menaxhimin e marrëdhënieve me jashtë dhe atyre publike e median.

Zyra e Komisionerit po mbështetet në zbatimin e Projektit të Binjakëzimit nga Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Italisë (Garante per la Protezione dei Dati Personali), nga CSI Piemonte po në Itali dhe Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore “Ludwig Boltzmann” në Austri.