Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte pjesë e trajnimit për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Aktiviteti u organizua nga Zyra në Shqipëri e Programit të Asistencës Ndërkombëtare për Trajnimin në Hetimin Penal (International Criminal Investigative Training Assistance Program – ICITAP), në bashkëpunim dhe koordinim me Prezencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Si një nga tematikat kryesore të trajnimit, 28 anëtarët e kësaj strukture u njohën me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale në vendin tonë. Po ashtu, u diskutua edhe për funksionet dhe rolin monitorues e mbikëqyrës të Zyrës së Komisionerit, si dhe për raste nga praktika ku ndërthuret kuadri rregullator i kësaj fushe me atë që normon objektin e veprimtarisë së BKH.

Njëkohësisht, të pranishmit u trajnuan edhe për çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin, integrimin gjinor dhe me përvojën e punës së prokurorive speciale publike nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Zyra e Komisionerit do të jetë pjesë aktive në trajnimet e ardhshme për institucionin e BKH, për njohjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetareve në kuadër të veprimtarisë së kësaj strukture.