Kuadri i ri ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale, trajnime me stafin e Zyrës së Komisionerit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka hyrë në fazën e trajnimeve intensive të stafit të saj në kuadër të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis e BE”.

Moduli i dytë i trajnimeve trajtoi tematika të rëndësishme, duke sjellë edhe raste praktike, të hasura gjatë zbatimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave në BE (GDPR) prej majit të vitit 2018. Ndër aspektet e legjislacionit evropian të diskutuara ishin promovimi i një sistemi të qeverisjes së privatësisë brenda organizatave që identifikojnë politikat dhe masat tekniko-organizative, vlerësimi i ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale (data protection impact assessments-DPIA) apo teknologjitë aktuale dhe ato në zhvillim që ndikojnë në procesin e përpunimit të të dhënave të qytetarëve. Po ashtu, në trajnim u fol për aftësinë për t’u përshtatur me rrethana specifike që ekspozojnë mbrojtjen e të dhënave personale ndaj rreziqeve të mundshme (siç është pandemia botërore COVID-19), anonimizimi i të dhënave personale, si dhe raste nga praktika të përgjegjësisë në lidhje me privatësinë sipas modelit dhe parazgjedhjes (privacy by design and by default).

Edhe ky modul trajnimi u realizua nën drejtimin dhe ekspertizën e Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Italisë (Garante per la Protezione dei Dati Personali) dhe me pjesëmarrjen e ekspertëve të tjerë të përfshirë në zbatimin e Projektit të Binjakëzimit. Legjislacioni i ri kombëtar për fushën e mbrojtjes së të dhënave personale përafrohet tërësisht me aktet e Bashkimit Evropian: Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën e Policisë.