3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Balanca mes dy të drejtave, cikël trajnues në bashkëpunim me ASPA

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) zhvilluan një cikël prej 9 trajnimesh online me temë “Balanca midis të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtës për informim”. Pjesë e takimeve ishin më shumë se 180 nëpunës civilë të kategorive të ndryshme, me fokus pjesëmarrjen e koordinatorëve për të drejtën e informimit dhe personat e ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave personale nga Autoritete Publike qendrore e të varësisë, atyre të pavarura dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

Organizimi i ciklit të trajnimeve u inicua duke marrë shkas nga raste praktike dhe vështirësitë që shfaqnin institucionet publike në trajtimin në balancë këtyre dy të drejtave kushtetuese. Në to u referuan parashikimet e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe atij për të drejtën e informimit, si mund të bëhet balanca në rastin e trajtimit të kërkesave për informacion nga Autoritetet Publike. Po ashtu, u diskutua si bëhet dallimi mes informacionit publik që duhet të vendoset në dispozicion dhe cilat janë të dhënat personale, publikimi i të cilave do të cenonte jetën private të individëve. Trajnimet orientuan përfaqësuesit e Autoriteteve Publike mbi mënyrën e administrimit të të dhënave personale të funksionarëve publike dhe për kategoritë e tyre që mund të publikohen apo transparencën për procedurat e partneritetit publik privat. Në këto trajtime u sollën shembuj nga vendimmarrja e autoritetit dhe ajo ndërkombëtare në këtë drejtim. Ky cikël u drejtua nga znj. Pjerina Gaxha, Drejtore e Drejtorisë së Ankesave dhe Harmonizimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, trajnere pranë ASPA.

Zyra e Komisionerit është e angazhuar vazhdimisht në nisma ndërgjegjësuese apo edukuese, si në sferën publike ashtu edhe me subjekte private, për të rritur përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien në respektimin e të drejtave të qytetarëve.