Në kuadër të 28 Janarit – Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një aktivitet ndërgjegjësues me nxënës dhe mësues të shkollës “Servete Maçi” në Tiranë. Ky takim ishte pjesë e Fushatës Kombëtare “Edukimi digjital, luaj dhe mëso – Happy onlife”, që po mbahet në institucione të arsimit 9-vjeçar në vend.

Zyra e Komisionerit nuk po promovon thjesht një lojë, por një instrument i cili ka për qëllim të njohë fëmijët me rreziqet e lundrimit në mjedisin digjital. Iniciativa, gjithashtu, synon aftësimin e tyre për sjelljet që duhet të përshtatin gjatë përdorimit të rrjeteve sociale dhe internetit, në përgjithësi. Për Zyrën e Komisionerit dhe jo vetëm, shkolla është tempulli ku bashkohen mësuesi, fëmija dhe prindi, tre shtyllat më të rëndësishme për të ardhmen e një brez të ri të shëndetshëm profesionalisht, emocionalisht dhe kulturalisht.