3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Nënshkruhen dy udhëzime të reja për fushën e mbrojtjes së të dhënave personale

Ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, nënshkruan dy udhëzime të përbashkëta: Udhëzimi nr. 463 “Për përcaktimin e institucioneve dhe organeve që marrin të dhëna personale nga shërbimi i gjendjes civile, si dhe mënyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që duhet të marrin” (Udhëzimi nr. 463/2020) dhe Udhëzimi nr. 464 “Për përpunimin e të dhënave personale nga njësia e informacionit të pasagjerit” (Udhëzimi nr. 464/2020). Këto dokumente të rëndësishëm garantojnë standarde të larta në përdorimin/shkëmbimin e të dhënave personale të qytetarëve nga kontrollues publik dhe/ose privat dhe njëkohësisht, garantimin e mbrojtjes së të dhënave në përdorimin e shërbimeve online.

Ministri Lleshaj në fjalën e tij tha: “Qeveria prej kohësh po punon fort për të rritur numrin e shërbimeve që ofrohen për qytetarët, kryesisht shërbimet online”.

Komisioneri Dervishi, duke vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme, ndër të tjera theksoi se: “këto udhëzime përmirësojnë akoma më shumë kuadrin rregullator në funksion të garantimit të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila është një e drejtë e parashikuar në nenin 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Udhëzimi nr. 463/2020, përcakton standarde të unifikuara dhe të larta në aksesimin e “Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile” (RKGJC) nga organe/institucione të ndryshme publike dhe/ose private. Ky Udhëzim, shfuqizon Udhëzimin nr. 95/2014 “Për përcaktimin e institucioneve dhe organeve që marrin të dhëna personale nga shërbimi i gjendjes civile, si dhe mënyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që duhet të marrin”. Hartimi këtij udhëzimi të ri u iniciua në kuadër të përshtatjes me zhvillimet dhe zgjerimin e përdorimit të teknologjive të reja në ofrimin e shërbimeve shtetërore online. Nga ana tjetër, është shtuar numri i kërkesave nga institucione të reja, të cilat e kanë të domosdoshme aksesin në RKGJC për përmbushjen e detyrave funksionale, si dhe nga ato që kanë ndryshuar ndër vite emërtesën apo strukturën në referencë të objektit të veprimtarisë që ushtrojnë.

Udhëzimi nr. 464/2020, është hartuar në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar”, i ndryshuar, i cili përcakton Zyrën e Komisionerit si Autoritetin Kombëtar përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit të mbledhjes/përpunimit, shpërndarjes dhe shkëmbimit të të dhënave personale të pasagjerëve. Informacioni Paraprak për Pasagjerin (API-Advanced Pasanger Information) dhe Të Dhënat e Regjistrit të Rezervimit të Pasagjerit (PNR-Passanger Name Record) janë dy kategori specifike informacioni personal që administrohen në një bazë të posaçme të dhënash nga Njësia e Informacionit të Pasagjerit (NIP) pranë Policisë së Shtetit. Udhëzimi ka si qëllim përcaktimin e mënyrës së transmetimit të të dhënave dhe sigurimin e nivelit të përshtatshëm të mbrojtjes të të dhënave personale nga NIP, në ndërveprim me subjektet transportuese/kompanitë ajrore që kanë detyrimin e ofrimit të këtyre të dhënave.

Udhëzimet i gjeni të publikuara në menunë Mbrojtja e të dhënave personale/Legjislacion/Udhëzime