3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

“Regjistri elektronik i kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit” funksional në më shumë Autoritete Publike

Shtohet numri i Autoriteteve Publike që ofrojnë shërbim për qytetarët nëpërmjet “Regjistrit elektronik të kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit”. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e nxit dhe po e monitoron në vijimësi procesin e instalimit të REKPDI. Në fund të muajit qershor 2020, janë gjithsej 52 institucione të pavarura, qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore të cilat e kanë instaluar atë.

Listës së institucioneve që e kanë funksional “Regjistrin” i janë shtuar rishtazi Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Radio Televizioni Shqiptar dhe Bashkitë Berat, Gjirokastër, Dibër, Kamëz, Gramsh, Memaliaj, Maliq, Himarë, Devoll, Poliçan, Shijak, Patos, Mat dhe Selenicë.

REKPDI është një bazë shtetërore të dhënash e krijuar me VKM nr. 145, datë 13.03.2018, në zbatim të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. “Regjistri” është i integruar në portalin “pyetshtetin.al”, që është një platformë proaktive komunikimi mes qytetarëve dhe Autoriteteve Publike në funksion të transparencës dhe llogaridhënies. Një nga veçoritë e REKPDI është se i gjithë procesi i trajtimit të kërkesave/përgjigjeve, por edhe ankesave pranë Zyrës së Komisionerit, realizohet brenda sistemit, duke mundësuar gjurmueshmërinë elektronike.