Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nisi konsultimin publik të Modelit të ri të Programit të Transparencës së Autoriteteve Publike.

Rishikimi i Programit të Transparencës është detyrim në zbatim të nenit 5 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Njohuri të gjera janë akumuluar nga Zyra e Komisionerit gjatë mbikëqyrjes së zbatimit në praktikë të këtij ligji, por edhe në raport me kërkesat e qytetarëve, të organizatave të shoqërisë civile apo grupeve të interesit, si dhe duke vlerësuar veprimtarinë e Autoriteteve Publike në këtë drejtim. Një Program Transparence i plotë dhe i përditësuar është instrument i fuqishëm në garantimin e njohjes me informacion publik.

Modeli i ri i Programit të Transparencës është përmirësuar në përmbajtje, duke listuar për çdo kategori informacionin dhe dokumentacionin konkret që duhet publikuar, në përputhje me nenin 7 të ligjit nr. 119/2014. Njëkohësisht, është rinovuar edhe paraqitja grafike e PT, për ta bërë akoma edhe më të lehtë dhe proaktiv përdorimin e tij nga qytetarët. Zyra e Komisionerit fton të gjithë palët e interesuara që ta konsultojnë Modelin e ri të Programit të Transparencës në lidhjen https://www.idp.al/programi-i-transparences-i-kdimdp-2/.

Vlerësojmë dërgimin e komenteve në adresën zyrtare info@idp.al brenda datës 20.07.2020.