3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Trajnimi i administratës publike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe transparencën

Me temën “Mbrojtja e të dhënave personale” u zhvillua trajnimi online me pjesëmarrjen e një grupi nëpunësish civilë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) nga institucione të ndryshme, organizuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA).

Lektore e këtij moduli ishte znj. Pjerina Gaxha, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Zyrën e Komisionerit. Trajnimi kishte në fokus njohjen me kuadrin ligjor të kësaj fushe, parimet kryesore të përpunimit të të dhënave personale, të drejtat e subjektit të të dhënave (individit) si informimi, aksesi, korrigjimi, etj., apo detyrimet e kontrolluesit për një proces të sigurt. Njëkohësisht, të pranishmit u njohën edhe me risitë e legjislacionit ndërkombëtar në këtë fushë, kryesisht me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (GDPR) në Bashkimin Evropian.

Në këtë trajnim pati një ndërhyrje edhe nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi. Në fjalën e tij, nënvizoi rëndësinë për marrjen e të gjitha masave për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga kontrollues publik dhe privat, veçanërisht, në situatën e fundit të krijuar prej pandemisë së Covid-19. Nga ana tjetër, ai theksoi dhe vlerësoi domosdoshmërinë e trajtimit në mënyrë proporcionale të privatësisë me transparencën, si një ndër parimet kryesore të mirëqeverisjes e llogaridhënies të Autoriteteve Publike.