Në Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Profesionale TIK “Hermann Gmeiner”, organizuan konkursin me temë “Të rinjtë dhe privatësia”.

Aktiviteti me këtë rast u mbajt në “Qendrën e Inovacionit Protik”. Të ftuar nderi ishin Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi; I Dërguari me Punë i Republikës së Austrisë z. Christian Steiner; Zv/kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, z. Olsi Dekovi; Përfaqësuesi i Delegacionit të BE, z. Aurelien Juliard; përfaqësues nga institucione shtetërore, etj.

10 grupe nxënësish të viteve të 3-ta dhe 4-ta të kësaj shkolle prezantuan projekt-aplikacione, ku “politikat e privatësisë” ishin elementi kryesor i vlerësimit nga një juri profesioniste. Për përgatitjen e këtyre punimeve mësimore Zyra e Komisionerit dhe stafi i shkollës realizuan një cikël trajnues gjatë muajit janar 2020, për njohjen e parimeve kryesore rregullatorë të garantimit të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Aplikacioni “StudentGuard”, punim i grupit të nxënësve Klara Rapo, Josif Çarka, Kledion Nito dhe Sindis Kote, u shpall fitues. Ky projekt është një sistem monitorimi mbi frekuentimin e mësimit, për të vënë në dijeni prindin. Aplikacionet e tjera të prezantuara në konkurs përfshijnë disa fusha, si ajo e menaxhimit të financave personale apo të biznesit; menaxhimin e të dhënave shëndetësore apo respektimin e dietave ushqimore; lundrimin e sigurt në internet; blerjeve online; kontrollin e postës elektronike; targimin e automjeteve apo parkimin e tyre.

Autoritetet kombëtare të vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, më 28 Janar zhvillojnë aktivitete të ndryshme me karakter ndërgjegjësues për qytetarët. Në botë, kjo ditë njihet si Dita e Privatësisë (Privacy Day).