Komiteti Ekzekutiv i Asamblesë Globale të Privatësisë (ish-Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë – ICDPPC) i është drejtuar të gjithë anëtarësisë së organizatës me një thirrje për solidaritet dhe mbështetje për popullin, vendin dhe Zyrën e Komisionerit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Mesazhi i plotë

Të nderuar anëtarë dhe vëzhgues,

Shumë prej jush duhet, tashmë, të jenë në dijeni të lajmit të tmerrshëm të tërmetit që goditi Shqipërinë. Duket e pabesueshme që vetëm pak kohë më parë ishim të gjithë në Tiranë, ku përjetuam momente aq të lumtura. Por, tani, mikpritësi ynë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, i cili na priti të gjithëve aq mrekullisht, duhet të përballet me sfidën e të bërit përpara, në Tiranë, ku janë humbur jetë dhe ka pasur dëme materiale.

Do të jetë një periudhë tepër e vështirë për Shqipërinë dhe KDIMDP, por ne, kolegët e Asamblesë Globale të Privatësisë, mund të japim mbështetjen tonë në mënyra të ndryshme. Jam e bindur se ju jeni lidhur drejtpërdrejt me Besnikun dhe Zyrën e tij, për t’u interesuar për gjendjen e stafit. Në cilësinë e Kryetares të Komitetit Ekzekutiv, Zyra e Komisionerit të Informacionit të Mbretërisë së Bashkuar do të mbështesë KDIMDP në çdo mënyrë të mundshme, për të garantuar vazhdimësinë e kontributit të tyre në Komitetin Ekzekutiv, në cilësinë e organizatorëve të edicionit të fundit. Gjithashtu, jemi në dijeni se ekzistojnë mënyra për të mbështetur edhe nëpërmjet donacioneve, drejtuar organizatave ndërkombëtare të bamirësisë dhe Qeverisë Shqiptare, për të ndihmuar në lehtësimin e pasojave dhe në përpjekjet për rindërtim, ndërsa informacioni në lidhje me to mund të gjendet lehtë në internet. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale na ka informuar se nëse ju dëshironi të dhuroni apo nëse kërkoni më tepër informacion, të kontaktoni adresën: info@idp.al.

Si rrjet global ne jemi në mbështetje dhe solidaritet me kolegët tanë të KDIMDP në Shqipëri. E të gjithë ne e kujtojmë me vlerësim të thellë periudhën e mrekullueshme që kaluam së bashku nën diellin e bukur të Tiranës dhe me mikpritjen po aq të ngrohtë shqiptare.

Përshëndetje të sinqerta,

Elizabeth Denham CBE, Kryetare e Asamblesë Globale të Privatësisë dhe Komitetit Ekzekutiv