Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), organizoi në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) aktivitetin me temë “Mbrojtja e të Dhënave në Ekonominë Digjitale: Vendet e treta përballë GDPR”.

 Me hyrjen në fuqi të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në BE (GDPR) në maj të vitit 2018, ndikimi është i gjerë në shumë fusha, e kryesisht në atë të teknologjisë dhe inovacionit.

Kjo tryezë kishte si qëllim vendosjen e një dialogu për forcimin e ndërgjegjësimit dhe rritjen e gatishmërisë të të gjithë aktorëve të përfshirë në ekonominë digjitale, për t’u përballur me sfidat dhe risitë që sjell Rregullorja e Përgjithshme, duke promovuar njëkohësisht besimin e konsumatorit në tregun digjital. Panelistët, ekspertë vendas, përfaqësues nga Autoriteti i Konkurrencës, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacioni, por edhe ekspertë të huaj me ekspertizë të rëndësishme në këtë fushë dhe përfaqësues nga Autoriteti zviceran për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sollën këndvështrimet e tyre, praktikat e deritanishme, problematikat e konstatuara dhe sugjeruan zgjidhjet e mundshme për arritjen e përputhshmërisë legjislative kombëtare me GDPR.

Nga prezantimet e mbajtura nga panelistët, ndërveprimi me auditorin dhe diskutimet e zhvilluara u konkludua, se përveç ndryshimeve në legjislacionin përkatës për të reflektuar risitë e GDPR, me rëndësi është ndërveprimi ndërmjet aktorëve vendas që preken nga këto ndryshime. Gjithashtu, bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve homologe të mbrojtjes së të dhënave personale të vendeve të treta por, edhe me ato  të Bashkimit Evropian, është tejet i rëndësishëm për shkëmbimin e eksperiencave mbi hapat që po ndërmerren në kuadër të arritjes së standardeve të GDPR dhe unifikimin e praktikave në këtë drejtim me qëllim zbatimin e tyre.

Në përfundim, u shpreh interes në vijimin e organizimit të aktiviteteve të ngjashme, kjo për shkak edhe të specifikave dhe fushës së gjerë të veprimit që paraqet ekonomia digjitale dhe teknologjia e avancuar. Takimi pati interes të gjerë, si nga përfaqësuesit e autoriteteve vendase, por edhe nga delegatë të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare.