Jemi në përfundim të Konferencës, por në një fillim për sa i përket vendimmarrjes, politikave të zhvillimit, opinioneve dhe piketave që u hodhën dhe u diskutuan në këtë aktivitet.

Çfarë më mbetet, është të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ju që morët pjesë në këtë Konferencë.

Vlerësim të veçantë (duke shpresuar që nuk ju kemi zhgënjyer) për ata që besuan tek ne për organizimin e Konferencës:

  • Komitetin Ekzekutiv të drejtuar në atë periudhë nga zoti John Edwards;
  • Komitetin Ekzekutiv aktual nën drejtimin e znj. Elisabeth Denham dhe veçanërisht, Sekretariatin për punën e tij të palodhur;
  • Komitetin Këshillimor për Programin;
  • spikerat dhe moderatorët;
  • përfaqësuesit e autoriteteve, biznesit, shoqërisë civile, botës akademike, medias, etj.

Dua, gjithashtu, t’ju drejtoj një falënderim donatorëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe vendas, që mbështetën organizimin e Konferencës.

Gjithashtu, dua të falënderoj përzemërsisht Kuvendin, Qeverinë dhe të gjithë institucionet e vendit, që bënë të mundur mbarëvajtjen e Konferencës.

Falënderim i veçantë shkon për stafin teknik për suportin e tyre, si dhe stafin e angazhuar në ofrimin e shërbimeve të ndryshme në funksion të Konferencës.

Do ju kërkoja një duartrokitje të gjatë për shërbimin e përkthimit.

Dëshiroj të falënderoj dhe të ftoj këtu krah meje Ols Lafen, shefin e ceremonisë.

Nuk mund të mos bëj një falënderim të veçantë për stafin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, që na mikpriti këto ditë nën drejtimin e Dhuratës, shoqes sime të shumë betejave.

Në fund, do të më lejoni të them dy fjalë edhe për ata me të cilët gjatë këtyre muajve kam ndarë përgjegjësinë e organizimit të Konferencës, lodhjen dhe tensionin e punës, stafin e Zyrës së Komisionerit:

Denada dhe Alketa, Redi dhe Segi, Malvina, Meri, Eldi, Blerta, Elinda, Andri, Pamela, Eraldi, Pjerina, Beni, Neritani, Irma, Eneida, Lindita, Edrini, Elda, Besa, Merisa, Enida, Amarilda, Margeni, Entela, Eldori dhe gjithë të tjerët të cilët nuk mund t’i përmend për efekt kohe.

Shumë më kanë pyetur se pse dhe si kërkuat dhe arritët të siguronit organizimin e Konferencës.

  • Me vullnet, shpirt iniciative dhe punë të palodhur, duke ju kërkuar ndjesë për çdo inkoveniencë.
  • Me mbështetjen e kolegëve dhe të miqve tanë që “rrezikuan” duke na e besuar atë.
  • Por mbi të gjitha, për të treguar se edhe një Autoritet i vogël, i një vendi të vogël, me problemet e tij, i dënuar me vetëmbyllje për dekada me rradhë, por me një dëshirë të madhe për zhvillim, mund t’ia dalë.

E si mund të mos e duash këtë vend dhe këtë popull mikpritës dhe me një zemër të madhe gjatë gjithë historisë së tij?!

Shpresoj që Konferenca e Tiranës të mbahet mend për mundin dhe dashurinë me të cilën një ndërmarrje të pamundur, ne arritëm dhe e bëmë të mundur.

Suksese Konferencës në vite, suksese të gjithë juve që na nderuat me pjesemarrjen tuaj dhe me dhatë mundësinë dhe kënaqesinë t’ju pres në Tiranë.