I nderuar Zoti Kryeministër,

Të nderuar kolegë, delegatë dhe të ftuar,

Ndodhemi në vitin kur mbrojtja e të dhënave sapo ka arritur maturinë.

Në të njëjtën kohë u bënë tridhjetë vjet që kur muret në Evropë filluan të bien. Dhe ky moment shënoi fillimin e një konvergjence të jashtëzakonshme rreth demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nëse kthehemi pas në vitin 1989, vetëm 20 shtete kishin ligje për privatësinë. Tani, në 2019, janë 136 të tilla.

Rezultati i sa më sipër është rritja e vazhdueshme e komunitetit tonë. Kjo sot është më shumë se e nevojshme, pasi gjithçka tashmë është digjitale. Jetojmë në një botë, ku na thuhet se të dhënat janë zgjidhja e çdo problemi, çka do të thotë se çdo aspekt i jetës dhe marrëdhënieve tona përbën një mundësi për tregun e të dhënave.

Por një gjë është dhe do të mbetet e qartë. Ajo që çdokush nga ne do të vazhdojë të kujdeset për jetën private dhe familjare. Çdokush nga ne ka nevojë për dikë që ta mbrojë nga aktorët e fuqishëm të këtij sistemi. Dhe është ky roli ynë si Komisionerë. Mund të mendohet se jemi në një moment pasigurie sa i përket zhvillimeve gjeopolitike, dhe në një kohë krizë për planetin tonë, ku njerëzit janë të lidhur me njeri-tjetrin si kurrë më parë.

Por këto lidhje, kryhen me ndërmjetësimin e palëve të treta. Këto palë të treta mund të jenë shumë të fuqishme, në fakt. Ato kontrollojnë pjesën më të madhe të të dhënave të globit. Këto lidhje dhe të dhënat personale përbëjnë interes për qeveritë – sidomos, ato qeveri të cilat duan të kontrollojnë popujt e tyre.

Prandaj, ne si Autoritete të mbrojtjes se të dhënave, duhet të sigurohemi që pushteti të ushtrohet me përgjegjshmëri.

Folëm gjatë në Sesionin e Mbyllur lidhur me Inteligjencën Artificiale. Ka shumë tërheqje magjepsëse drejt Inteligjencës Artificiale. Vitin e kaluar, është publikuar një libër i njohur nga Kai Fu Lee, shkencëtari i shkencave kompjuterike dhe njëherazi, sipërmarrës. Titulli i librit ishte “Superfuqitë e Inteligjencës Artificiale”. Në një sekuencë në libër autori thotë se nëpërmjet “machine learning” ne “po lëvizim nga epoka e ekspertizës, drejt epokës së të dhënave”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë detyra jonë si komunitet botëror, i cili mbron privatësinë, bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme.

Është puna jonë të garantojmë se, kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të dhënave, lufta duhet të bëhet për të kapur majën dhe jo për fundin e mjaftueshëm.

Konferenca e fundit Ndërkombëtare në Bruksel, me organizator Giovannin dhe EDPS, është një akt i vështirë për t’u ndjekur. Ajo vendosi disa standarde lidhur me Konferencat e privatësisë – me objekt gjithëpërfshirës, që trajton disa nga çështjet më të vështira dhe të debatuara. Giovanni lançoi debatin mbi privatësinë, teknologjinë dhe etikën. Kjo, pikërisht, sepse ai besonte me pasion që teknologjia duhet t’i shërbejë gjithkujt dhe jo vetëm disave.

Ai besonte se njerëzit nuk duhet të punojnë për makineritë; ai besonte se nuk është e qëndrueshme të trajtosh njerëzit sikur të ishin thjesht pika të dhënash.

Nëse Kai Fu Lee dhe të tjerët kanë të drejtë – nëse është e vërtetë se e ardhmja është gjithnjë e më shumë të dhëna – atëherë do të kemi përpara një problem jo vetëm sa i përket të drejtave të njeriut. Ne do të rrisim ndikimin mbi mjedisin tonë tashmë të brishtë. Sipas shifrave aktuale, të dhënat do të ndikojnë në rritjen me 8% të emetimeve në atmosferë. Kjo shifër tejkalon dhe sektorin e aviacionit.

Prandaj në do të vërejmë në vitet në vijim një konvergjencë të mëtejshme ndërmjet privatësisë dhe përpjekjeve për të larguar krizën klimaterike. Kjo është një luftë në emër të brezave të fëmijëve dhe nipërve tanë.

Parimi udhëheqës për teknologjinë digjitale dhe përpunimin e të dhënave duhet të jetë respekti për njeriun dhe mjedisin. Sot dhe nesër ne do të flasim, lidhur, se si ky ekosistem i jashtëzakonshëm ka prekur demokracinë dhe opinionin publik. Këtu lind një tjetër mundësi për më tepër konvergjencë, për shkak të shqetësimit për demokracinë dhe atij për përpunimin e përgjegjshëm të të dhënave.

Por mbrojtja e të dhënave lidhet fort edhe me konkurrencën. Sepse, anti-trustet (autoritetet e konkurrencës), si dhe ato të mbrojtjes së të dhënave, luajnë një rol kyç në përgjegjshmërinë e aktorëve të fuqishëm për veprimet e tyre. Pra sërish, më shumë konvergjencë, midis ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe atij për mbrojtjen të dhënave personale.

Kjo Konferencë është, gjithashtu, vendi më i mirë për bashkëpunimin praktik midis Autoriteteve. Sesioni i Hapur i Konferencës i jep mundësinë ekspertëve, avokatëve dhe autoriteteve rregullatore që të mësojnë nga njeri-tjetri. Mbase nuk do të biem dakord mbi gjithçka, por ky është një moment unik për reflektim të sinqertë mbi problematikat më të mëdha, me të cilat në si shoqëri përballemi, për të reflektuar sesi mund të edukojmë publikun që të ketë më shumë kontroll mbi jetët e tyre digjitale.

Për Konferencën tonë zgjodhëm simbolin e një anije në det të hapur, Liburnën ilire. Ndoshta, gjatë udhëtimit më të famshëm që na vjen nga kryevepra botërore e letërsisë, ku Odisea i Homerit pa “shumë vende”, “përjetoi shumë vuajtje” duke “luftuar që të shpëtonte jetën e tij dhe të kthente shokët në atdhe”.

Pyes veten, nëse e krahasojmë këtë udhëtim me rrugëtimin tonë, misionin tonë si komunitet i lundërtarëve të privatësisë. Deti mund të jetë i trazuar dhe destinacioni mund të jetë i fshehur përtej horizontit.