Ndërsa prisnim me padurim të na bashkohej në tetor, në Tiranë, si një nga panelistët kryesorë të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë, është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë, mbrëmjen e 20 gushtit, Giovanni Buttarelli, Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS).

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe stafi i Autoritetit, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, ashtu si edhe gjithë komunitetit botëror të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë për këtë humbje të madhe.

Në karrierën e tij, Giovanni iu përkushtua shërbimit në sistemin e drejtësisë, kryesisht në kuadrin e Bashkimit Evropian dhe vlerave të përbashkëta të Unionit. Pasioni dhe inteligjenca e tij përbëjnë një trashëgimi të qëndrueshme dhe të veçantë për institucionin e Mbikëqyrësit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave dhe sigurisht, për të gjithë personat të cilët patën fatin të bashkëpunojnë me të.

Për Zyrën e Komisionerit, Giovanni ishte një mik i çmuar dhe i sinqertë. Ai ishte mbi të gjitha një mbështetës i palëkundur për integrimin e Zyrës së Komisionerit në strukturat e Bashkimit Evropian.