3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zbatimi i “Planveprimit” mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Zyrës së Komisionerit

Si pjesë e punës së përbashkët për zbatimin e “Planveprimit” mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Zyrës së Komisionerit, në kuadër të “Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST”, u mbajt trajnimi me Personat e Kontaktit për mbrojtjen e të dhënave personale (Data Protection Officer-DPO) nga prokuroritë e të gjitha niveleve.

Gjatë këtij takimi u trajtua ligji nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Udhëzimi i Komisionerit nr. 47/2018 “Për përcaktimin e rregullave për ruajtjen e sigurisë së të dhënave personale të përpunuara nga subjekte përpunuese të mëdha”. Të pranishmit u njohën me parimet e mbrojtjes së të dhënave (ligjshmëria, mjaftueshmëria, saktësia, afati i ruajtjes, etj.); të drejtat e subjektit të të dhënave (qytetari); detyrimet e kontrolluesit e sidomos, garantimi i sigurisë dhe konfidencialitetit të të dhënave; detyrimet e DPO në këtë proces; si dhe u dhanë shembuj konkretë në bazë të Rregullores së Prokurorisë. Personi i Kontaktit ka një rol të rëndësishëm në strukturën e organit të akuzës, pasi mbikëqyr zbatimin rigoroz të legjislacionit të mbrojtjes së të dhënave, vlerëson rreziqet e shkeljeve të mundshme të kësaj të drejte të individit dhe mban kontakte të vazhdueshme me Zyrën e Komisionerit.

“Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST” është ratifikuar nga Kuvendi me ligjin nr. 113/2018. Në zbatim të saj, Prokurori i Përgjithshëm dhe Komisioneri nënshkruan në 25 shkurt 2019 “Planveprimin”, ku një nga veprimet e parashikuara në të ishte dhe caktimi i një Personi Kontakti (DPO) në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në ato të të gjitha niveleve. Bashkëpunimi mes dy institucioneve do të vijojë edhe në të ardhmen.