3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience me institucione të Republikës së Maltës

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, priti në një takim pune delegacionin maltez të kryesuar nga z. Deo Debattista, Sekretar i Parlamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, në fushën e veprimtarisë të të cilit përfshihet edhe mbrojtja e të dhënave personale. Në përbërje të delegacionit merrnin pjesë z. Olaf Mckay, Kryetar i Sekretariatit të Parlamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit; z. Clayton Bartolo, deputet; znj. Helga Pizzuto, Kryetar i Autoritetit Maltez të Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe z. Godwin Mangion, Drejtor i Përgjithshëm i këtij Autoriteti.

Në takim u prezantua legjislacioni kombëtar, kompetencat dhe veprimtaria e Zyrës së Komisionerit për garantimin e dy të drejtave dhe lirive themelore të njeriut – e drejta për informim dhe ajo për mbrojtjen e të dhënave personale. Palët diskutuan për rrugët e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës me Autoritetin homolog maltez të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, veçanërisht, pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të Përgjithshme (GDPR) në Bashkimin Evropian.