3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zyra e Komisionerit pjesëmarrëse aktive në procesin e reformimit të ICDPPC

Në edicionin e 39-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), të zhvilluar vitin e kaluar, u vendos nisja e procesit për reformimin e këtij forumi. Për këtë qëllim u ngrit një Grup i posaçëm Pune, me synimin për të përcaktuar qartë të ardhmen e identitetit dhe misionit të këtij Forumi.

Diskutimet kanë shqyrtuar formatin dhe strukturën e Konferencës; rolin e Komitetit Ekzekutiv; funksionet dhe financimin e Sekretariatit; përditësimin e rregullave/procedurave në lidhje me anëtarësimin, përfaqësimin dhe diversitetin; marrëdhëniet me aktorë të jashtëm; promovimin e nismave të ndryshme dhe komunikimit. Konsultimet u zhvilluan me të gjitha rrjetet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave: Grupin e Punës së Nenit 29 (WP29) dhe anëtarësinë e Konferencës Evropiane, gjatë punimeve të edicionit të mbajtur në Tiranë, në maj 2018; Shoqatën Frankofone (AFAPDP); Rrjetin e Autoriteteve të Privatësisë Azi-Paqësor (APPA); Rrjetin e Autoriteteve të Komonuelthit Britanik (CTN), Rrjetin Afrikan (RAPDP); Autoritetet anëtare të Konferencës Ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile, etj.

Propozimet konkrete janë strukturuar në disa projekt-dokumente. Një prej tyre është projekt-Rezoluta mbi “Udhërrëfyesin për të Ardhmen e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë”, ku Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj të drejtpërdrejtë si bashkë-hartuese me Autoritetet homologe të Kanadasë, Francës, Polonisë, Zvicrës, Argjentinës, Burkina Fasos dhe Beninit. Shqyrtimi i këtyre dokumenteve do të bëhet gjatë punimeve të sesionit të mbyllur në edicionin e 40-të të Forumit, i cili zhvillohet në Bruksel, në fund të këtij muaji. Forcimi i statusit të ICDPPC, si një platformë e efektshme dhe unike për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndikuese në hartimin e politikave në këtë fushë, do të rrisë diversitetin, hapjen dhe transparencën e saj, për ta shndërruar atë në një organizatë sa më të efektshme.

Zyra e Komisionerit është përzgjedhur si organizatore e edicionit të 41-të të Konferencës Ndërkombëtare, që do të zhvillohet në Tiranë, në tetor 2019. Përgatitjet për realizimin e saj po vijojnë me koordinimin dhe mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv.