3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Grupi i Punës për Objektivat Strategjikë të Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave

Nën drejtimin e Autoritetit Francez të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (CNIL) dhe Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, u ngrit Grupi i Punës për Përcaktimin e Objektivave Strategjikë të Konferencës së Autoriteteve Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave.

Krahas punës së Zyrës së Komisionerit, në cilësinë e anëtarit të Komitetit të Mbështetjes dhe Akreditimit dhe Autoritetit organizator të edicionit të 28-të të Konferencës, në datat 3-4 maj 2018 në Shqipëri, do të jepet kontribut edhe për sa i përket drejtimit strategjik dhe përforcimit të rolit të këtij organizmi. Gjatë edicioneve të kaluara është evidentuar domosdoshmëria për të konfiguruar qartësisht misionin e këtij forumi, në mënyrë të tillë që t’i përgjigjet më mirë nevojave të Autoriteteve për përmbushjen e misionit të tyre. Gjithashtu, këto objektiva duhet të marrin parasysh zhvillimet e shpejta teknologjike, si edhe rritjen dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet Autoriteteve rregullatore për t’iu përgjigjur me efikasitet sfidave që burojnë nga këto zhvillime.

Përveç Autoriteteve nismëtare të Francës dhe Shqipërisë, në këtë Grup Pune marrin pjesë edhe përfaqësues nga Britania e Madhe, Zvicra, Gjermania, Hollanda, Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS), Qipro, Monako dhe Moldavia. Ndërsa, punimet e tij do të zhvillohen nëpërmjet telekonferencave, ku në përfundim do të përgatitet një raport i gjetjeve, i cili do t’i paraqitet Autoriteteve anëtarëve gjatë punimeve të Konferencës së 28-të Evropiane në Tiranë.

Vlen të theksohet, se Konferenca Evropiane është forumi më i madh dhe më i rëndësishëm i kontinentit për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, i cili numëron aktualisht 62 Autoritete me të drejtë vote dhe 6 në cilësinë e vëzhguesit.