3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Forcimi i të drejtës për informim, takimi i Komisionerëve evropianë në Berlin

Në Berlin, me iniciativën e Komisionerit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të Drejtën e Informimit, u zhvillua një takim 2-ditor për shkëmbimin e ideve dhe modeleve më të mira për krijimin e standardeve të unifikuara lidhur me të drejtën e informimit. Ekspertë të njohur gjermanë dhe evropianë diskutuan në këtë takim për qasje të ndryshme legjislative të të drejtës për informim, në aspektin krahasues. Ndërsa, grupet e punës diskutuan nëpërmjet rasteve konkrete, mundësinë e përmirësimit të praktikave në dhënien e informacionit për qytetarët, shoqatat e shoqërisë civile apo për nxitjen e gazetarisë investigative.

Në këtë takim Zyra e Komisionerit prezantoi praktikën shqiptare dhe risitë që ka sjellë ligji “Për të drejtën e informimit” në ndryshimin e mentalitetit dhe kulturës së administratës publike. Në mbi 2 vjet të zbatimit të tij janë konstatuar një sërë problematikash, për adresimin e të cilave ka angazhim maksimal e konstruktiv nga të gjithë institucionet shtetërore. Roli dhe puna e deritanishme e Zyrës së Komisionerit u vlerësua nga autoritetet homologe pjesëmarrëse në këtë takim edhe si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.

Shumë shtete evropiane kanë prej vitesh një traditë të konsoliduar për të drejtën e informimit dhe institucione mbikëqyrëse që garantojnë zbatimin e kësaj të drejte. Pjesëmarrësit u dakordësuan për një Rezolutë, e cila u bën thirrje të gjithë aktorëve institucionalë kombëtarë, që të angazhojnë më shumë fonde buxhetore dhe kapacitete njerëzore për zbatimin efektiv të kësaj të drejte. Njëkohësisht, janë ftuar edhe parlamentet dhe qeveritë e atyre vendeve ku mungojnë aktet rregullatore në këtë fushë që të miratojnë sa më parë legjislacionin përkatës. Një shoqëri demokratike e ligjore funksionale nuk mund të kuptohet pa të drejtën e informimit dhe transparencën e Autoriteteve Publike.

Rezoluta e takimit të Berlinit