Përfaqësues të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale përfunduan programin Tailor-made Training (TMT). Ai u mundësua nga “The Netherlands Fellowship Programmes” (Projekti i Shkëmbimit Universitar) të agjencisë EP-Nuffic, pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Hollandës dhe që u zbatua nga Universiteti Vrije Amsterdam. Në të referuan akademikë e studiues, përfaqësues të Autoritetit hollandez të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, juristë dhe veprimtarë të organizatave jo qeveritare.

Njohja integrale me Rregulloren e re të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian, që hyn në fuqi në maj të 2018 dhe përmirësimet në raport me Direktivën 95/46, ishin ndër temat kryesore të trajnimit. Po ashtu, u prekën nëpërmjet prezantimit të rasteve konkrete çështje si: procesi i transferimit ndërkombëtar të të dhënave dhe vendimet e Komisionit Evropian për nivelin e mjaftueshmërisë në mbrojtjen e të dhënave personale; privatësia në epokën e Big Data dhe Internet of Things; të dhënat biometrike; marketingu i drejtpërdrejtë; regjistri i thirrjeve të pakërkuara (Do not call me register); bashkëpunimi i agjencive ligjzbatuese; procedimi i ankesave të qytetarëve, etj. Diskutimi aktiv dhe shkëmbimi i eksperiencës në raport me të drejtën për informim nga institucionet evropiane dhe ato hollandeze, ishte një tjetër temë e këtij trajnimi.

trajnimi_vu2

Ky projekt trajnues është hap drejt konsolidimit të mëtejshëm të kapaciteteve administrative të Zyrës së Komisionerit, nëpërmjet pasurimit të njohurive teorike dhe praktike në fushat e mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtës për informim, për rritjen e standardeve të mbrojtes së të drejtave të njeriut në vendin tonë.

Gjithashtu, Zyra e Komisionerit mori pjesë në konferencën shkencore, të organizuar nga Qendra për Ligjin dhe Internetin pranë Universitetit Vrije Amsterdam, me temë “Ligji dhe shoqëria në epokën digjitale”. Akademikë e studiues nga vende të ndryshme, përfaqësues të institucioneve hollandeze dhe evropiane, juristë, etj., ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet. Zhvillimi i vrullshëm teknologjik, veçanërisht kërkimet në fushën e inteligjencës artificiale, përdorimi dhe shkëmbimi gjithnjë e më masiv i të dhënave personale dhe trajtimi ligjor i këtyre problematikave, ishin ndër tema kryesore të trajtuara në këtë konferencë.