Legjislacion për Njoftimin dhe Konsultimin Publik

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 30 tetor 2014 ligjin nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Ligji ka për objekt rregullimin e marrëdhënieve që krijohen në një proces të konsultimit publik, transparent, gjithëpërfshirës, të realizuar në kohë dhe efektiv ndërmjet organeve publike qendrore dhe vendore dhe palëve të interesuara, në procesin e vendimmarrjes së projekt akteve si projektligje, dokumente strategjike kombëtare dhe lokale, si dhe politikave me interes të lartë publik.

Neni 21 i Ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” ka parashikuar ankimin pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në rast se palët e interesuara vlerësojnë se organi publik ka cenuar të drejtën e tyre për njoftim dhe konsultim publik sipas parashikimeve të pikës 1, të nenit 6, si dhe kur nuk janë respektuar afatet e parashikuara në nenet 15 dhe 17 të këtij ligji.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me marrjen e një ankese, i kërkon ankuesit dhe organit publik kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim brenda 10 ditësh. Kur e sheh të përshtatshme Komisioneri organizon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.

Komisioneri kur arrin në përfundimin që ka shkelje të dispozitave të këtij ligji, i propozon organit publik përgjegjës marrjen e masave administrative ndaj personit/personave përgjegjës, sipas legjislacionit për shërbimin civil në fuqi.