3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Modernizimi i legjislacionit të mbrojtjes së të dhënave personale, bashkëpunimi me EDPS

Me ftesë të Mbikëqyrësit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (European Data Protection Supervisor), Komisioneri, z. Besnik Dervishi shoqëruar dhe nga pjesëtarë të stafit të Autoritetit zhvilluan një takim pune në këtë institucion të BE. Agjenda e takimit kishte të bënte me dy kompontentë, së pari me procesin integrues në kuadër të transpozimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (2016/679) dhe të Direktivës së Policisë (2016/680); si dhe shkëmbim informacioni e diskutime në kuadër të organizimit nga ana e Zyrës së Komisionerit të edicionit të 41-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC). Vlen të theksohet se Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave organizoi, në bashkëpunim me autoritetin bullgar, tetorin e vitit të kaluar, edicionin e 40-të të kësaj Konference, ndërsa është anëtar, së bashku me Zyrën e Komisionerit, në forumin drejtues të saj, Komitetin Ekzekutiv.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi dhe stafi u pritën fillimisht nga Drejtori i Përgjithshëm i EDPS, z. Leonardo Cervera Navas dhe nga stafi përgjegjës për organizimin e Konferencës së 40-të Ndërkombëtare, ndërsa në vijim u prit nga Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave, z. Giovanni Buttarelli. Z. Dervishi falënderoi homologun për ftesën dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar me Zyrën e Komisionerit, si dhe bëri një panoramë të planifikimit dhe realizimeve të kryera e të pritshme të organizimit të edicionit të radhës të Konferencës. Gjithashtu, Komisioneri e njohu Mbikëqyrësin me kuadrin ligjor shqiptar për mbrojtjen e të dhënave, kompetencat e Zyrës së Komisionerit dhe me një përmbledhje të aktiviteteve të saj, duke u fokusuar në hapat e ndërmarrë nga Autoriteti për nisjen e procesit të harmonizimit të legjislacionit kombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale me acquis communautaire. Nga ana e tij, z. Buttarelli shprehu angazhimin e plotë të institucionit që drejton për të vijuar mbështetjen për Zyrën e Komisionerit në të dy iniciativat e mësipërme, duke nënvizuar rëndësinë që ato mbartin edhe në kontekstin e integrimit të vendit. Diskutimet në vijim u fokusuan në shkëmbimin e eksperiencës në nivel teknik me stafin e EDPS.